DURRES - Gjykata e Durrësit zëvendëson avokatin mbrojtës të Dritan Dajtit. Mbrojtësi i zgjedhur nga Dajti, Hasaf Hadëraj nuk paraqitej në gjyq duke bërë që procesi gjyqësor të mos zhvillohej normalisht duke u shtyrë seancë pas seance.

Për këtë arsye Dajti do të mbrohet në seancat e radhës nga avokati Fasli Zanaj, i vendosur kryesisht nga gjykata. Palët ndërgjyqësore nuk patën asnjë kundërshti për vendimin e marrë.

Avokati Zanaj i kërkoi Gjykatës një muaj kohë të njihet me dosjen në ngarkim të klientit të caktuar nga gjykata.

Kjo kërkesë u rrëzua pasi kryesuesi i trupit gjykues, Idriz Merkurti, vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 28 dhjetor duke i lënë mbrojtësit vetëm 8 ditë afat për t’u njohur me materialet që përmban dosja Dajti.

Vetë i pandehuri nuk ka kundërshtuar vendimin e trupit gjykues, por ka kërkuar që afati të jetë më shumë se 8 ditë sepse dhe vetë ai do një kohë më shumë se 25 ditë të bisedojë me avokatin mbrojtës.

(ar/Gre.M/Shqiptarja.com)