Pas plagosjes së tij, Anxhelo Kumaraku është pezulluar nga detyra. Efektivi 30-vjeçar ndodhet nën hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, për shkelje të rëndë.

Kumaraku ishte në shoqërinë e fqinjit të tij, Kledi Spajës, në momentin kur u qëllua. Fqinji 31-vjeçar ishte shënjestra e atentatit, ndërsa kishte thyer masën e arrestit në shtëpi.

Kumaraku ka pohuar se nuk kishte njoftuar se fqinji i tij kishte thyer masën e sigurisë dhe ndodheshin në një rrugicë pranë shtëpisë, pasi me të njihej që në fëmijëri.

Njoftimi i policisë

Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në Shkozë.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas (vëllezër), të cilët dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri një 31-vjeçar, pranë banesës së tij.

Arrestohet 31-vjeçari, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Nga të shtënat u plagos aksidentalisht në këmbë një 30-vjeçar (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë.
Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për ngjarjen e ndodhur në mesnatë, në Shkozë, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. L., 33 vjeç dhe A. L., 22 vjeç, (vëllezër).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të shtetasit K. S., i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me shtetasit A. K. dhe L. D.

Nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht në këmbë shtetasi A. K., 30 vjeç (punonjës policie, jashtë shërbimit). Ai po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi K. S., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, ndaj punonjësit të Policisë A. K., Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, pasi ky punonjës policie është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, si dhe nuk ka njoftuar shërbimet policore dhe eprorët për rastin në fjalë.


Lajmi kryesor:

Plagosja e efektivit në Shkozë, shënjestër fqinji nën arrest shtëpie! Në konflikt me dy vëllezër, shpallen në kërkim! Polici pezullohet nga detyra, nën hetim disiplinor