Nuk respektohen gradat, togeri udhëheq nënkolonelen

Nuk respektohen gradat, togeri udhëheq nënkolonelen
Pavarësisht gradave ekzistuese në Policinë e Kosovës, ato nuk respektohen në pozitat e larta menaxhuese në institucionin e rendit në Kosovë. Policët me grada më të ulëta janë në pozita më të larta se ata të cilët gradimet e larta i kanë marrë nga vetë udhëheqësit e policisë së Kosovës, thotë një shkrim në gazetën Zëri.

Drejtori rajonal i policisë në Prishtinë, Rashit Qala, ka gradën e majorit dhe ka nën udhëheqje zëvendësen Fikrije Hajra, e cila për nga grada është nënkolonele.

“Pos që ka vetëm gradën e majorit, drejtori Qala deri vonë e ka pasur të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm dhe tashmë është në vitin e tretë në fakultet në kolegjin universitar privat “Universum””, thotë një zyrtar i lartë policor në Policinë e Kosovës. G
 
Grada më e lartë për udhëheqësit e policisë në rajone është ajo e kolonelit, pason ajo e nënkolonelit, ndërsa e treta me radhë sipas tij, është grada e majorit.

“Në pozitën të cilën e ka tashmë majori Qala deri para një kohe ka qenë koloneli Jahë Avdiu. Por, ndonëse me gradën e kolonelit, Avdiu është suspenduar nga puna kohë më parë me arsyetimin se nuk ka zbatuar urdhrin dhe nuk ka ndërmarrë ndonjë aksion policor kur Lëvizja VETËVENDOSJE” rrotullonte kamionët me mallëra që hynin nga Serbia”, ka sqaruar më tej ky burim i gazetës Zëri.

Sipas të njëjtit, në vendin e atij që “nuk ka zbatuar urdhrat e ardhura nga lart”, pa pritur e kujtuar është emëruar Rashit Qala. I njëjti burim nuk saktëson nëse Qala iu është bindur urdhrave që vijnë nga menaxhmenti i lartë i policisë apo edhe nga vetë Ministria e Punëve të Brendshme. Por ata që japin urdhra, përkitazi me këtë çështje nuk pranojnë të flasin. 

Baki Kelani, zëdhënësi i policisë së Kosovës ka qartësuar për Zërin se një person me gradën e majorit nuk është e kundërligjshme që të mbajë pozitën më të lartë se personi me gradë më të lartë.

“Një gjë e tillë është e rregulluar me Ligjin e Policisë. Prej pozitës major e në pozita të stafit të lartë menaxhues mund të emërohen në detyra konkrete deri në pozitën e drejtorit të përgjithshëm, duke i respektuar konkurset që shpallen për vendet e punës”, ka thënë ai.

Por njohësi i çështjeve të sigurisë dhe dikur këshilltar në MPB, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, Burim Ramadani thotë se kjo është në kundërshtim me ligjin dhe sipas tij, këtu shihet qartë ndërhyrja e politikës në institucionin e policisë, i cili deri vonë ka qenë institucioni më i besueshëm.

“Nuk është e lejuar sipas ligjit që përcakton qartë kërkesat për grada në pozita udhëheqëse, por kjo qeveri as nuk do të dijë për ligjin dhe as nuk do të dijë për funksionimin e shtetit dhe po mundohet ta shkatërrojë policinë”, thotë Ramadani. 

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Preç Zogaj: Reforma e bunkerizmit të kastës plurale solidare përballë drejtësisë dhe SHBA

Preç Zogaj: Reforma e bunkerizmit të kastës plurale solidare përballë drejtësisë dhe SHBA