(Replikë rreth shkrimit “E padite keq vetën, zoti Memushaj”)

Edhe pse, zakonisht, nuk e lexoj gazetën “Rilindja Demokratike”, pasi dëgjova pasqyrën e shtypit të ditës, të datës 15 korrik, më tërhoqi vëmendjen titulli sensasional i saj “E padite keq vetën, zoti Memushaj”, i cili, çuditërisht, mbante dy firma: Në krye firmën e Marian Z. Shestanit dhe, më fund, atë të Institutit të Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe, ndërtuar në formën e një letre drejtuar Doktorit të Shkencave gjuhësore Rami Memushaj, për të kundërshtuar replikën e tij me priftin Gjergj Meta rreth çështjes së gjuhës së njësuar, ose Standardit.

Bëra durim dhe i shkova deri në fund këtij shkrimi edhe pse e kisha lexuar replikën e tij me priftin Gjergj Meta. Dhe, pse ta fsheh: M`u duk se zoti Marian Z. Shestani bënte disa marrëzi në këtë shkrim. Bile më dukej se e niste me një marrëzi, kur i shkruante këtij përsonaliteti, që kishte deklaruar se nuk kishte qenë ndonjëherë komunist, se ky ishte “shquar si një militant i thekur komunist në luftë “vetmohuese” …në mbrojtje të standardit gjuhësor, tendencioz e antishkencor të Kongresit famëkeq të 1972-shit”.

“Si është e mundur të flasë kështu një intelektual shqiptar në këtë fillim të shëkullit XXI?- pyesja veten. Ku i vëren ky “apostull” i “të vërtetave universale” në çështjet e gjuhësisë, “argumentet ekstrashkencore politike”, të Doktorit të Shkencave në mbrojtje të një monumenti të kulturës shqiptare, siç është quajtur, me të drejtë, gjuha e njësuar, themelet e të cilës u hodhën në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972”?!
Rrekem të gjej në këtë “letër pasionante” ndonjë argument “ekstrashkencor politik”, të R. Memushaj, por, në vend të këtyre “argumenteve”, lexoj edhe një marrëzi tjetër të Marianit, kur ai i drejtohet R. Memushajt me akuzën që mund të bëhet vetëm në sallën e një gjyqi politik: “Keni zgjedhur në mënyrën më të keqe e më të ulët e më ekstremiste politike komuniste t`i përgjigjeni artikullit të Dom Gjergj Metës”. (?!)

Duke e analizuar me gjakftohtësi këtë frazë patetike, lexuesi priste ndonjë “këshillë” nga autori i shkrimit për mënyrën se si mund ta ndërtonte ai një replikë me priftin Gjergj Meta, pas sulmeve të tij kundër historianit Kristo Frashëri dhe gjuhëtarëve të shquar J. Bulo, R. Memushaj e të tjerë lidhur me qendrimin e tyre ndaj standardit. Por më kot!

Nga fillimi, deri në fund të shkrimit, sikur zotëron ideja e autorit, sipas të cilës përgjigja e Doktorit të Shkencave ishte “modeli tipik ekstremist i mosrespektimit komunist të mendimit ndryshe”. Dhe doza e marrëzisë shtohet kur Mariani e lidh replikën e gjuhëtarit me priftin Gjergj Meta me fitorën e së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit. (?!) 
Me pasionin e një militanti të së djathtës shqiptare, por jo me horizontin e një hulumtuesi në shkencën e gjuhësisë, Marian Z. Shestani shkruan se “Ky rotacion (fitorja e së majtës ) ju paska dhënë zemër e krahë e ju paska trimëruar me zhveshë lëkurën prej kameleini të përshtatshmërisë që kishit veshur në shkrimet e mëparshme…”.

Dhe duket se këtu kemi të bëjmë jo thjeshtë me një marrëzi, që rrjedh nga pasionet politike të autorit, por edhe me një lajthitje, që shërben edhe si një shpifje: Flitet për “kameleonizmin” dhe “përshtatshmërinë” e gjuhëtarit të shquar R. Mamushaj në trajtimin e çeshtjes së qendrimit ndaj standardit, kur, siç e dinë ata që e ndjekin këtë problem, R. Memushaj ka qenë vazhdimisht e pa ekuivoke, në përkrahje të gjuhës së njësuar. Themelet e së cilës u hodhen në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972.

Veçse, duke e kuptuar se një gënjeshtër e tillë nuk mund të zërë vend në ndërgjegjën e akademikëve të ndershëm shqiptarë të ditëve tona,varkën e shpëtimit e gjen tek antikomunizmi i tij. Ky mllef e frymëzon të shkarravisë fraza antikomuniste dhe jot ë replikojë me argument nga fusha e gjuhësisë, për çeshtje konkrete të standardit, të gjuhës së njësuar shqipe.
Dhe doza e marrëzive intelektuale të Marian Z. Shestanit shtohet, kur, duke u përgjëruar për “personalitetin” e priftit Gjergj Meta, shkruan: “Dom Gjergji…ka detyra edhe ndaj jush, përveçse për t`ju drejtuar në dijet shkencore, edhe për t`ju shpëtuar shpirtin e humbur në mëkatin komunist”. (?!) Dhe, me këtë frazë, autori i replikës vihet edhe në rolin e priftit, të cilin përpiqet ta mbrojë!

Por Mariani shkon edhe më larg se prifti, kur, i pushtuar nga sindroma e antikomunizmit, pasi e akuzon gjuhëtarin se nuk njeh kontributet e përfaqësuesve të klerit katolik në fushën e gjuhësisë shqiptare, i flet atij si nga maja e Olimpit: “Nuk doni ende t`i njihni këta, prandaj jam i detyruar t`ju kujtoj ato që njeh çdo shqiptar…”. dhe i “kujton Doktorit të Shkencave Buzukun, Budin, Bogdanin, Mjedën, Fishtën e të tjerë, të cilët i kanë njohur dhe i njohin edhe nxënësit e shkollave të mesme!

Përsëri, duke mos u marrë me argument shkencorë, por me sulme politike ndaj replikuesit R. Memushaj, autori i shkrimit shkon më tej në marrëzitë e tij. Duke dashur të hedhë poshtë kritikën e gjuhëtarit ndaj servilizmit të klerikëve katolikë në rrjedhën e kohës,thotë edhe një marrëzi të trashë, kur shkruan se “komunisti nuk mund të jetë kurrë shkencëtar”. (?!) Duket se nuk i është kujtuar Marianit fizikanti A. Ajnshtajn-komunist dhe fizikan me famë botërore!
Dhe, duke menduar se ka thënë të vërtetën përfundimtare për komunistin si ithtar i një doktrine të caktuar,, si doktrinar i ideologjisë së borgjezisë, predikon si prifti në altar: “Komunizmi është provuar (?!) se nuk është asgjë tjetër përveçse propagandë e gënjeshtërt, devijim, mashtrim e shkatërrim vlerash”. Meditime prej “gjuhëtari” të tipit të ri, por jo shkencëtari!

Ky “tip i ri gjuhëtari”, duke e harruar misionin e vet, i hakërrehet gjuhëtarit që e ka shpallur edhe vetën antikomunist: “Ju…si komunist i bindur (?!), e bëni vetën pjesë kriminale (?!) të atyre krimeve që burgosën (.!) (burgoskan edhe krimet?!) e pushkatuan pa faj klerikët e mëdhenj”. Dhe Mariani fluturon në qiellin e ëndërrave antikomuniste e jo në qiellin e të vërtetave gjihësore!
Kjo duket edhe më qartë kur Mariani, duke notuar në pellgun e antikomunizmit e duke dashur të kalojë nga fusha e gjuhësisë në atë të historisë e të “domosdoshmërisë sërishkrimit të saj”, i shkruan gjuhëtarit të shquar: “Gaboni rëndë, zoti Memushaj, pasi nuk ka forcë komuniste (.!) që mund ta pengojë rishkrimin e historisë dhe rishkrimin e standardit të shqipes”.

Dhe kjo ide e çon Marianin më larg përsonalitetit të gjuhëtarit R. Memushaj e të tjerë; e çon tek sulmi i paprinciptë i tij ndaj Akademisë sonë të Shkencës, e cila, si edhe gjuhëtari, paska qenë e qenka e indoktrinuar nga komunizmi e prej këtij fakti paska mbrojtur historiografinë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe gjuhën e njësuar, që ishte një arritje historike e kësaj periudhe.
“Për cilën Akademi flisni ju, zoti Memushaj?- pyet i nevrikosur Mariani, duke shtuar: “për atë të krimburën ende sot nga komunizmi, për faj të atyre që nuk e çmontuan atë sistem”? Dhe logjikën e autorit e pushtojnë jo “argumentet” për të mbrojtur priftin Dom Gjergji nga sulmet, por ideja absurde mbi “revolucionin kulturor hoxhist” , e cila e bën të deklarojë se “nuk do të ketë paqe pa shkuar në vend të vërtetat historike dhe gjuha shqipe”. (?!)

Dhe kërcënimet e këtij autori marrin trajta brutale e arrogante në thirrjet e tij patetike: “Keni marrë yrysh para vaktit, o Rami. Jeni entuziazmuar gabim nga rotacioni politik, që u nxiti të nxirrni brirët e demit komunist sot…Komunizmi juaj nuk mund të ketë jetë të gjatë…Paketa juaj bllokuese …nuk do të mund të pengojë rishikimin e standardit të shqipes”!
Por thirrje të tilla donkishoteske i shumëfishojnë dimensionet e marrëzive të M. Z. Shestanit, kur ai, si edhe disa kolegë të tij, sulmon Akademikun Rexhep Qosja! Dhe deri në atë shkallë arrin marrëzia e ”mbrojtësit të priftit’, sa i drejtohet gjuhëtarit R. Memushaj me këto fjalë: “Ju mëshiroj që, për të përforcuar mendimet tuaja, merrni për mbrojtës Rexhep Qosën”. (?!)

Ndaj, për të mos u zgjatur me alergjinë antikomuniste të këtij autori, i cili, në fund të shkrimit, del me emrin e stisur “Instituti i Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe”, (?!) duam ta pyesim: Po ti, o Marian, a “Institut i Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe”, në luftën donkishoteske kundër Gjuhës së njehsuar, kundër këtij monumenti të kulturës shqiptare në shekuj, cilin profet do të thërrasësh si mbrojtës? Se vështirë do ta kesh! Sidoqoftë, edhe ëndërrat janë ngushlluese!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)