Një zyrtar i Komunës së Kllokotit në Kosovë dyshohet se ka marrë 39.231 euro nga buxheti i shtetit për rreth shtatë vite pa u paraqitur në vendin e punës.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, S.S., i punësuar si zyrtar për kulturë, rini dhe sport, njëkohësisht menaxher i bibliotekës së Kllokotit, nuk është paraqitur në punë nga viti 2019 deri më 2 mars 2026, ndërsa ka vijuar të përfitojë pagën mujore.

Prokuroria bëri të ditur se ndaj tij ka nisur hetim për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas dyshimeve të ngritura nga organi i akuzës, zyrtari nuk ka ushtruar aktivitetet që i ngarkonte detyra dhe kontrata e punës, por ka përfituar pagesë të rregullt nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur të njëjtat dhe ka përfituar pagën mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.