Dy punonjës policie janë vënë në pranga pasi kanë abuzuar me detyrën.

Të arrestuarit janë E.Ç 29 vjeç dhe K.Ç 26 vjeç me detyrë agjent verifikues/trup shërbimi në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.

Arrestimi i tyre u krye pasi këta punonjës policie, duke qenë me shërbim me aparatin shpejtësi matës (Radar) dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi ndalonin automjete, nuk i ndëshkonin ata me masa administrative sipas parashikimeve të nenit 140 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, në shkëmbim të vlerave monetare.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe vlerat monetare të përfituara nga punonjësit e policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Mbi dy punonjësit e policisë rëndon akuza për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për evidentimin e të gjitha rasteve të ngjashme si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të policisë të përfshirë në këtë veprimtari.