DUBROVNIK - Para vizitës në Shqipëri Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, gjatë Forumit të mbajtur në Kroaci është shprehur  për korrupsionin dhe  problemet e ndryshme në rajonin e Ballkanit, të cilat po lënë në vendnumëro progresin e bërë deri tani.
 
Sipas saj lufta kundër korrupsionit dhe prapambetjes demokratike duhet të jetë një shqetësim i barabartë i vijës së parë, pasi europa nuk mund të jetë e lirë kur zgjedhjet manipulohen, por nuk mund të ekzistojë as paqe kur zyrtarët e korruptuar përdorin frikën për të shtypur opozitën dhe për të rrjepur qytetarët.
 
Fjala e plotë Victoria Nuland për problemet me korrupsionin në Ballkan
“Në këtë rajon ne shohim se korrupsioni, spostimi demokratik, konfliktet e stërzgjatura, tensionet etnike dhe dhuna sërish kërcënojnë shumë shtete. Procesi i Bosnjës për integrimin Euro-Atlantik ka ngecur për shkak të disa politikanëve që u intereson më tepër ruajtja e kësaj gjendjeje se sa ruajtja e qytetit. Maqedonia akoma nuk është integruar në BE apo në NATO për shkak të emrit.
 
Në qoftë se ne besojmë në ëndrrën evropiane dhe në vlerat e përbashkëta, atëherë ne duhet të investojmë në to çdo ditë, dhe të mos lejojmë problemet e vjetra të bëhen të përjetshme.
 
Dhe, ndërsa ne mbështesim vlerat e komunitetit transatlantik, lufta kundër korrupsionit dhe prapambetjes demokratike duhet të jetë një shqetësim i barabartë i vijës së parë.
 
Europa nuk mund të jetë e plotë kur kleptokratët i trajtojnë shtetet si një burim fitimi dhe plaçkitje për vete dhe miqtë e tyre. Dhe nuk mund të jetë e lirë kur zgjedhjet manipulohen, media e pavarur heshtet dhe minoritetet poshtërohen, nuk mund të ketë në paqe kur zyrtarët e korruptuar përdorin frikësimin politik, ekonomik dhe gjyqësor për të shtypur opozitën dhe për të shqyer qytetarët.
 
Korrupsioni gjithashtu kërcënon sovranitetin kombëtar për shkak se çdo politikan i pistë në mesin tonë, apo çdo kontratë jo-transparente që lejojmë, krijon një tjetër vrimë të zezë cenueshmërie dhe një mundësi për shkatërrim nga forcat e jashtme.
 
Nga Ballkani në Balltik deri në Detin e Zi, ne duhet të kuptojmë se siç bënë ata në Maidan, se korrupsioni nuk është vetëm një vrasës i demokracisë, por është një tjetër mjet gri në arsenalin e autokratëve dhe kleptokratëve, që duan të zgjerojnë ndikimin e tyre, të dobësojnë demokracitë tona dhe të pasurojnë veten në kurriz të qytetarëve tanë.”- tha Nuland.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)