Gjiganti i çipave Nvidia ka raportuar të ardhura vjetore rekord prej 215.9 miliardë dollarësh, pavarësisht skepticizmit të investitorëve për shumat e mëdha që po shpenzohen në teknologjinë e inteligjencës artificiale (AI). Kompania tejkaloi edhe parashikimet e analistëve, pasi shitjet në tre muajt e fundit të vitit financiar u rritën me 73% krahasuar me një vit më parë.

“Kërkesa për përpunim po rritet në mënyrë eksponenciale”, tha shefi ekzekutiv Jensen Huang. “Klientët tanë po nxitojnë të investojnë në kapacitete përpunuese për AI, fabrikat që fuqizojnë revolucionin industrial të inteligjencës artificiale dhe rritjen e tyre të ardhshme.”

Përveç furnizimit me çipa për kompani në sektorin e AI, Nvidia ka paraqitur javët e fundit plane për të nxitur kërkesën edhe përmes teknologjive të reja të saj. Nvidia është kompania publike me vlerën më të madhe në botë në bursë, me një kapitalizim tregu rreth 4.8 trilionë dollarë.

Ajo është kthyer në një aktor qendror në ndërtimin e infrastrukturës së AI, duke furnizuar me çipa të avancuar zhvilluesit kryesorë të modeleve të inteligjencës artificiale, përfshirë OpenAI dhe Meta.

Gene Munster, partner menaxhimi në Deepwater Asset Management, tha se ky zgjerim ka të ngjarë të vazhdojë për një kohë të gjatë. “AI po përshpejtohet më shumë sesa mund ta perceptojnë ata që nuk i përdorin këto mjete,” shkroi ai në platformën sociale X.

Megjithatë, Nvidia shihet me sy skeptik nga investitorët që shqetësohen për rrjetin gjithnjë në zgjerim të marrëveshjeve me kompani të tjera. Kritikët kanë ngritur shqetësimin se investimet e Nvidia në kompani të tjera mund të krijojnë perceptim të paqartë sesa e fortë është realisht kërkesa për AI.

Ndërkohë, kompania është përfshirë edhe në një përplasje gjeopolitike mes SHBA-ve dhe Kinës. Parashikimi i publikuar nga Nvidia të mërkurën nuk përfshinte pritshmëri për të ardhurat nga çipat në Kinë.

Muajin e kaluar, administrata Trump filloi të lejojë Nvidia të shesë çipat H200, lloji i dytë më i avancuar i çipave të kompanisë, tek klientët kinezë, nën kushte të caktuara. Por këtë javë, një zyrtar i Departamentit Amerikan të Tregtisë tha se asnjë prej këtyre çipave nuk është shitur ende në Kinë.

Nvidia po zgjeron gjithashtu linjën e saj të produkteve për të pasur më shumë përfshirje në produktet fizike ku integrohet AI. Muajin e kaluar, në panairin teknologjik CES në Las Vegas, Huang prezantoi një platformë të re teknologjike për makina autonome.

Ai tha se modeli i hapur i AI, të cilin kompania e quan “Alpamayo”, do të sjellë aftësi arsyetimi për automjetet autonome. Nvidia njoftoi gjithashtu se planifikon të prezantojë një shërbim robotaksi deri vitin e ardhshëm në partneritet me një partner që nuk dihet ende.

Çipat e Nvidia kanë dominuar në trajnimin e modeleve të AI, por kompania është përballur me konkurrencë të fortë në fushën e “inference”, procesi ku një model i trajnuar zbatohet mbi të dhëna reale për të gjeneruar përgjigje përmes arsyetimit. Gjatë tremujorit të katërt, Nvidia bleu rivalin Groq në një marrëveshje prej 20 miliardë dollarësh, duke zgjeruar ekspertizën e saj në këtë fushë.