Vitet nuk ia kanë zbehur imazhin e jetës dhe aq më tepër bukurinë e cdo sekondi të jetuar, as sakrifica dhe as jetesa e vështirë. Nënë Fane është 105 vjeç dhe jeton në Pojan të Fierit. Jeta nuk i ka buzëqeshur gjithmonë, por i qëndron fanatike traditave të mikpritjes. Nga fëmijëria mban mend pak gjëra, vështirësitë e të rriturit mes varfërisë që vendi ynë po kalonte, por duket se pengu i Nënë Fanes është mosshkollimi i saj.
Ajo rrëfen se në shkollë nuk ka shkuar asnjë ditë dhe kjo vinte nga mentaliteti i asaj kohe.
“Shkollë asnjë gërmë. Na kërkuan në shkollë dhe xhaxhai i tha babait që të mos na dërgonin. Ashtu ishte koha. Bënim punët e shtëpisë, prashitnim, bënim punë dore. Qëndisjen e kam mësuar që 13 vjeçe, isha vajzë e vetme se motrat më vdiqën.”, thotë 105 vjeçarja.
105 vjeçarja nënë Fane
Njohja me bashkëshortin duket se ka qenë një nga momentet më të bukura të jetës së saj, pasi kur tregon për të, sytë i buzëqeshin, si për të treguar se një familje ku mbizotëron dashuria ia del gjithmonë.
“Atëherë ishte lajmsi (shkuesi). Ndodhte kështu: Ti kishe një vajzë, miku thoshte që të merrte vajzën, për djalin e tij. Unë e shikoja nga dritarja kur vinte të punonte. Rrinte dhe te shtëpia jonë. Unë e shikoja, por nuk dilja. Kisha turp nga xhaxhallarët. Pastaj kur do të martoheshim i thotë babait që do të vinte të më merrte masën për rrobat. Babai i tha që të dërgonte dikë që ka të besuar. Ai i thotë: Më të besuar se veten nuk kam! Atë natë fjeti aty, u ngrit në mëngjes të merrte masën dhe aty më ka parë. Edhe kur bëmë celebrimin më hodhën një copë të mos më shikonte. Edhe në dasmë nuk më pa mirë se kishte turp.” rrëfen nënë Fane.
Vitet si bashkëshorte dhe nënë në një kohë kur në vend u instalua regjimi komunist do të ishin të vështira për nënë Fanen. Por mes vështirësive nuk la pa realizuar për fëmijët e saj atë që vetë i mungoi: arsimimin.
“Ne kemi qenë 20 vetë. Fëmijët e mi, në shkollë i çova. Edhe punoja, çfarë do hanin fëmijët.” Vështirësitë i kujton kështu: “Do merrnim kazanin, do hidhnim rrobat, i regjim i thonim ne me hi. U rrita u bëra për tu martuar nuk dola nga dera. Kam dalë pas martese, kur vinte babai më merrte me qerre. Vajzën e madhe e mbaja në krahë, vinim në Fier nga ana e malit se kisha babain sëmurë. Dy muaj pas vdekjes së babait, më vdiq dhe nëna”.
Tashmë e rrethuar nga nipërit dhe mbesat, në banesën e saj jo më larg se 15 minuta nga qendra e Fierit, një ditë e nënë Fanes nuk është bosh dhe kohën e kalon duke bërë edhe punime me grep.
“Tani merrem me këto (tregon punimet) se nuk kalon koha, dita nuk ngryset.”thotë nënë Fane.
Largohemi me shijen e mirë të dashurisë që rrezaton nënë Fane, e cila në sytë e secilit prej nesh pasqyron kujtimin e njeriut të dashur, gjyshes!