Një ngjarje e pa precedentë ka ndodhur në Gjirokastër. Një familje është dëbuar nga shtëpia në të cilën jetonte prej 65 vjetësh. Denoncimi është bërë nga vajza e familjes, Kristina Salaria. Ajo shprehet se vendimi për t'i njerrë ato jashtë është marrë nga gjykatësja Mirela Kore Iliopulli.
Kristina shprehet se për të vërtetuar nëse është objekt i banueshëm apo jo, gjyqtarja Iliopulli dërgoi eksperten e cila me foto vërtetoi se objekti është i banueshëm nga familja e saj. Mirëpo argumentet e ekspertes nuk u morën parasysh dhe rrjedhimisht gjyqtarja dha vendimin e dëbimit nga shtëpia të familjes Salaria.
Në këtë rast, gjyqtarja sipas ankimueses që kërkoi të përcjellë shqetësimin e saj në Report Tv është bërë palë me xhaxhanë e kësaj të fundit i cili kërkon dëbimin nga banesa e përbashkët, të familjes së vëllait të tij me argumentin se aty nuk jeton askush.
"Xhaxhai im në bashkëpunim me Gjykatën e Shkallës së Parë me në krye Mirela Kore Iliopulli kërkon të na nxjerrë nga shtëpia. Ne aplikuam në 2017 tani është në proces verifikimin në aluizëm për të cilin kemi edhe verifikim,por asgjë nuk u mor parasysh. Në 2018 kjo gjyqtare na kërkoi të dalim jashtë për interesim vetjak nuk e di përse duke mbajt një qëndrim të njëanshëm pavarësisht se kemi të gjitha dokumentet e posaçme. Ne disponojmë aktet shkresore nga enti i pagesave. Dokumentat origjinale si tonat edhe të balës tjetër në gjykatë", thotë Kristina.
Kristina Salaria, akuzon edhe ekspertët e Bashkisë së Gjirokastrës të cilët kanë gënjyer duke deklaruar se në banesë nuk jetonte askush.
"Ekspertët e bashkisë së Gjirokastrës bënë një deklarim të rremë, një akt të paligjshëm dhe unë kërkoj të merren masa. Dhe pronën tonë ja dhanë xhaxhait duke deklaruar që babai im nuk jeton aty ndërsa babain tim e njohin edhe gurët e Gjirokastrës se ka 65 vjet jetë në atë shtëpi. Kërkoj nga kryeprokurorja Arta Marku dhe ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj të verefikojnë këtë gabim të tmerrshëm që është bërë", thotë Kristina.
Shtëpia e familjes Salaria ndodhet në lagjen “Partizan” në pjesën muzeale të qytetit.