Rrëmuam gjithë këto ditë për të gjetur pararendëset e vizitës së kryeministrit shqiptar në Beograd. Zogu, Hoxha… Foto të zverdhura nga koha të vizitave të shtetarëve që kërkonin “vëllain e madh” në Beogradin, dikur qendër e rëndësishme e Ballkanit, me buzëqeshje të ngrira, të projektuara në fytyrat e burrave të një shteti, pa pikë fuqie e ndikimi në politikën evropiane e ndërkombëtare.

Ballkani nuk është më as në kohën e Luftës së Parë dhe as të Luftës së Dytë. Proceset integruese evropiane i kanë hequr fitilat “fuçisë së barutit” të dikurshme, ndërkohë që gadishulli është kthyer në një konglomerat shtetesh të pavarura, që luftojnë në paqe një betejë për zhvillimin ekonomik e njerëzor. Realiteti i shtetit të Kosovës është etapa e fundit e këtij transformimi. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë shtetet përbërës të kësaj pjese të kontinentit të vjetër përpiqen për arritur pjesën tjetër të Evropës, një objektiv i largët, por konkret.

Shqipëria në këtë yjësi shtetesh e ndjen veten të përforcuar me kredibilitetin e një shteti mëse 100-vjeçar, ndërkohë që shtete të tjerë janë krijuar pas ’90-ës, duke përfshirë edhe Serbinë aktuale. Ajo është anëtare e NATO-s, para shumë të tjerave, dhe kandidate e BE-së, si shumë të tjera. Gradualisht, ajo ka arritur të shmangë tablonë e zymtë të para-’90-ës - të një vendi që kish frikë nga bota, apo të ’97-ës - të një vendi në anarki të mbrapshtë. Ajo po arrin të vendosë fuqinë e ligjit dhe të sjellë në binarë një shtet të nëpërkëmbur, duke shkërmoqur oazin e hashashit ‘legal’, duke goditur krimin e organizuar e korrupsionin.

Ndërkohë, faktori shqiptar në Ballkan ka marrë përmasa të pallogaritshme, me Kosovën shtet dhe komunitetet e fuqishme në vendet fqinje, që tashmë nuk mund të mos përfillen, si më parë. Shqiptarët mund të shkojnë tani si të barabartë në Beograd, jo më për të kërkuar ndihma, por për të bashkërenduar punët në emër të paqes e të zhvillimit, të bashkimit evropian e prosperitetit të të gjithëve, duke lënë pas me përbuzje remineshencat e së kaluarës mesjetare!

Dje, në Beograd nuk ishte vetëm Edi Rama. Ishim të gjithë ne, shqiptarët e Ballkanit. Dhe folëm me një zë, me ballin lart…!        


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)