Komisioni për Reformën Territoriale u ndal të premten në Shkodër, ku qytetarët u ankuan për mungesën e shërbimeve. Bashkëkryetari socialist Arbian Mazniku tha se reforma duhet të mendohet të jetë e tillë që të tërhiqen fondet e BE-së, ndërsa për opozitën reforma e 2014-ës, ka sjellë dukshëm shpopullimin në veri.

Në Shkodër, jo të pakta qenë rezervat, se ndarja aktuale administrative nuk i jep zgjidhje të gjitha problematikave të pushtetit vendor.

Propozimet para anëtarëve të Komisionit të Reformës Territoriale qenë të shumta.

“Malësia e Madhe të ndahet në 2 bashki”, ishte propozimi i një qytetari.

“Kjo tendencë ndarje e pabarabartë, si mund të bëhet kjo ndarje fetare, drejtimi politik që i po i jepet, po e bëjnë me arsye politike... ngatërrojnë partitë me pushtetin vendor, përqëndrohuni te funsksionet teknike te reformës, jo të merreni me politikë”, tha një qytetar tjetër.

Bashkëkryetari socialist Arbian Mazniku, tha se ndarja e re territoriale duhet të jetë e tillë, që të garantojë për bashkitë sa më shumë fonde nga Bashkimi Europian. Ai theksoi gjithashtu se fokusi i reformës duhet të jetë te eficenca e bashkive.

“Na duhet efiçencë më e lartë e bashkive për  mënyrën se si ato të munden të zbatojnë më mirë kompetencat që kanë, sepse sot një pjesë e madhe e bashkive nuk arrijnë t’i ushtrojnë plotësisht kompetencat që ligji u ofron.

Së dyti, kemi sfidën demografike, lëvizjen e vazhdueshme të njerëzve nga periferia drejt qendrave. Sot pjesa më e madhe e popullsisë është e përqëndruar në qytetet e mëdha. Ndaj na duhet që të kemi një pushtet vendor që t’i përshtatet kësaj lëvizjeje demografike.

Sfida e tretë që kemi është se na duhet të sigurojmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të njëtrajtshëm në të gjitha zonat e vendit dhe të zbehim diferencat, në mënyrë që të kemi njësi vendore me një zhvillim të balancuar dhe më të qëndrueshëm.

Së katërti, në vitin 2027 Shqipëria mbyll negociatat dhe  brenda vitit 2030 ne do të bëhemi vend anëtar i BE-së. Kjo do të thotë që nga antarësimi ne do të kemi mundësinë të përthithim, përmes dy mekanizmave të rëndësishëm, kohezionit social dhe fondeve strukturore, financime për zhvillimin e territorit. Për të përfituar nga këto programe, ne na duhet të kemi njësi vendore më të afta, me kapacitete më të mira, që të konkurrojnë në Bruksel dhe të arrijnë të marrin këto fonde që do të ndihmojnë në zhvillimin e territorit të tyre”, tha mes të tjerash Mazniku.

Por, Luçiano Boçi i opozitës insiston se bashkitë më të vogla dhe forcimi i qarqeve është zgjidhja për të zhbërë dështimin sipas tij të ndarjes aktuale të territorit.

Pasi të zhvillojë dëgjesat në terren dhe më tej me kryetarët e Bashkive e grupet e interesit, Komisioni i Reformës Territoriale do të nisë punën për hartimin e një drafti mbi hartën e re, edhe pse dy partitë e mëdha duken larg qëndrimeve të njëra-tjetrës, pasi PD kërkon më shumë bashki, ndërsa PS ka paraqitur 4 variante fillestare, ku më shumë sesa rishikim kufijsh, është fokusuar te kompetencat e bashkive.