Presidenti amerikan, Barack Obama theksoi sot se Shteti Islamik (EI), përgjegjës për krimet në Irak dhe në Siri, do të mundej duke shprehur besimin se një koalicion i gjerë ndërkombëtar do të formohet kundër organizatës xhihadiste.
"Kjo nuk do të ndodhë që nesër, por ne do të avancojmë në rrugën e duhur. Ne do të dobësojmë dhe në fund do të mundim Shtetin Islamik", theksoi Obama gjatë konferencës së shtypit në përfundim të samitit të NATO-s në Nju Port.
"Kam besim në faktin se aleatët e NATO-s dhe partnerët e saj do të jenë të gatshëm të bëhen pjesë e një koalicioni të gjerë ndërkombëtar", nënvizoi ai duke shtuar se sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të shkojë, menjëherë pas përfundimit të samitit, në Lindjen e Mesme për t'iu bashkuar vendeve të rajonit./ATSH/