Fëmijët emigrantë që jetojnë në mënyrë ilegale në SHBA do të kthehen në shtëpitë e tyre. Kështu i është përgjgijur presidenti amerikan Barack Obama fenomenit të çështjes së fëmijëve që kalojnë kufirin në mënyrë ilegale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Përveç të qënit një komb i emigrantëve, ne jemi edhe komb i ligjeve. Do të pengojmë fluksin e vazhdueshëm të fëmijëve që vënë veten në rrezik të madh. Unë theksoj se brenda kuadrit ligjor dhe në atë humanitar fëmijët që nuk kanë arsye për të qëndruar në SHBA të jenë subjekt i riatdhesimit në vendet e tyre.” tha Obama për mediat, pas takimit me udhëheqësit e Guatemalës, El Salvadorit dhe Hondurasit.

Obama shtoi se mund të ketë disa raste ku emigrantët nga këto vende do të mund të aplikojnë për statusin e refugjatit, por këto raste do të jenë të pakta. Ai theksoi gjithashtu se SHBA-të ndajnë përgjegjësinë me vendet e Amerikës Qendrore për të trajtuar problemin, duke shpresuar se ligjvënësit do të adresojnë fonde emergjente për të adresuar krizën kufitare përpara se të lërë Uashingtonin për të nisur pushimet.

Më shumë se 50 mijë, shumë prej të cilëve të pashoqëruar janë ndaluar në kufi që nga muaji tetor i një viti më parë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)