SHBA - Presidenti Barack Obama pasi ka firmosur urdhrin e ka quajtur si “të pafalshëm” dështimin e Kongresit, që nuk arriti të shmangë shkurtimet buxhetore.

Gjatë fjalimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, ai i quajti shkurtimet e buxhetit prej 85 miliardë dollarësh si “arbitrare” duke shtuar se ato do të godasin ekonominë dhe do të shkurtojnë vende pune.

Të premten Presidenti Obama e quajti mosveprimin e Kongresit për të parandaluar shkurtimet automatike “të pafalshëm” dhe shkurtimet 85 miliardë dollarëshe arbitrare.

Në Pentagon, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel thotë se pasiguria për buxhetin e rrezikon aftësinë e ushtrisë për të përmbushur misionin. Mes të tjerash, ai tha se marinës do t’i duhet, që të pakësojë numrin e fluturimeve të avionëve
“Forca ajrore do të pakësojë numrin e orëve të fluturimit dhe ushtria do të shkurtojë trajnimet”- shtoi ai.

Disa agjenci federale kanë vendosur të pezullojnë hapjen e vendeve të reja të punës dhe kanë shkurtuar shpenzimet për projekte dhe programe të ndryshme për të shmangur shkurtimin e ditëve të punës për punonjësit. Disa punonjës të sektorit publik thonë se po përgatiten për shkurtime të mundshme pagash.

Me ndierjen e pasojave të shkurtimeve automatike, ekonomistët thonë se familjet e varfra dhe të papunët do të humbasin asistencën sociale. Në dyqane, mallrat ushqimore mund të pakësohen pasi nuk do të ketë mundësi të inspektohet gjithë mishi.

Po ashtu mund të ketë vonesa në transport dhe rënie të kërkesës për artikuj importi, gjë që mund të dëmtojë partnerët tregtarë të Shteteve të Bashkuara.

(a.q/ad.ti/shqiptarja.com)