Presidenti amerikan, Barack Obama ishte gati të fillonte fjalimin e tij dje për gjendjen në Irak, gjatë të cilit do të njoftonte se kishte dhënë lejen për kryerjen e sulmeve ajrore kundër zonave nën kontrollin e të ashtuquajturit Shteti Islamik, por gjithçka u shty për pak çaste më vonë, për arsye sigurie. "Dikush kishte hyrë në lëndinën veriore të Shtëpisë së Bardhë, që u mbyll menjëherë nga Shërbimet e Sigurisë", njoftoi televizioni informativ amerikan, CNN. Ky "dikush" ishte një fëmijë që kishte arritur të kalonte përmes kangjellave përreth rezidencës presidenciale për të shkuar pa u vënë re pranë vendit ku do të mbante fjalimin Obama. Forcat e Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, megjithatë, nuk angazhuan shumë njerëz për ta marrë të voglin "e bezdisshëm", të cilin e kthyen më pas te prindërit./ATSH/