Objektet personale të Rauf Ficos,
dhuratë Muzeut Kombëta

Objektet personale të Rauf Ficos,<br />dhuratë Muzeut Kombëta
TIRANE- Ditarët, agjendat, albume të rralla fotografish historike e objekte të tjera personale të kryediplomatit dhe personalitetit të shquar shqiptar, Rauf Fico, që nga dita e djeshme janë bërë pjesë e Muzeut Historik Kombëtar. Ishte dëshira e familjarëve të tij që në ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, këto sende t’i dhuroheshin Muzeut. Në këtë aktivitet morën pjesë Hava Fico, vajza e diplomatit; Nahlel Fico, mbesa e tij; Luan Fico, nipi i tij, si dhe nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi; Saimir Rusheku, personi që bëri lidhjet midis muzeut dhe familjes Fico, etj.

Dorian Koçi tha se “Akti bujar i dhurimit të objekteve të koleksionit personal të familjes Fico, është vazhdim i dhuratave të mëparshme të këtij personaliteti të nderuar për Muzeun Kombëtar dhe Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë”.  Koleksioni ishte mjaft i pasur. Ai përfshinte objekte të tilla si: diplomën e shkollës “Mylqiye” të Stambollit të R.Ficos, 16 dekorata e medalje, 11 agjenda të mbajtura nga viti 1912 deri në vitin 1942, 9 ditarë të mbajtur në periudha të ndryshme kohore pas shpalljes së pavarësisë, 3 blloqe me kujtime personale të viteve 1914-1915 dhe 1919-1920, dorëshkrim origjinal i Statutit të Shqipërisë, punuar gjatë vitit 1913, libër me dokumente dhe traktate, album me fotografi, vërtetimi si deputet i parlamentit shqiptar, një telegram dhe artikull gazete dhe shënime për rendin e ditës së punimeve të Kongresit të Durrësit të vitit 1918, etj.

H. Fico, e bija e tij 80-vjeçare rrëfeu se sesi prej 1944-s së bashku me familjen kanë ruajtur objektet e të atit fshehur nga sistemi komunist. Vlerë shumë të çmuar kanë edhe 16 dekoratat dhe medaljet që i janë akorduar Rauf Fico-s nga shtete të ndryshme, ku në disa prej tyre ka qenë edhe ministër fuqiplotë i Shqipërisë, si në Turqi, Greqi dhe Gjermani. Nuk kanë munguar në këtë ekspozitë as artikujt e shkruar prej tij dhe për të. E bija, u shpreh se ia besoi muzeut sepse “garantohet ruajtja e sigurt e tyre, pasi për familjarët ato kanë vlerë shumë të madhe”.

Kush ishte Rauf Fico
Rauf Fico lindi në Sana të Jemenit, më 13 mars të vitit 1881, në një familje me origjinë nga Gjirokastra. Pasi u arsimua në në mejtepin e Shkodrës, më pas në shkollën Volksschule të Vjenës, e më pas në Stamboll, ku vijoi edhe studimet e larta për Shkenca Politike e administrim në Shkollën Civile “Mülkiye-i-Sehahané” të Administratës Mbretërore në Stamboll, Fico i përfundoi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera dhe hyri në librin e artë të asaj shkolle. Më 1903 u emërua nëpunës pranë valiut të Janinës. Në prill të vitit 1906, u emërua kajmekam në Konicë. Më pas ushtroi detyra të rëndësishme në administratën osmane. Në nëntor të vitit 1908 ishte një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës në Kongresin e Manastirit. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital