Një shoqëri e shëndetshme dhe e mbrojtur nga risqet është një synim madhor. Në katër vitet e shkuara, qeveria ka rritur fondet për sistemin shëndetësor, kryesisht në rritjen e pagave, përmirësimin e furnizimeve me medikamente, kryerjen e investimeve në rrjetin e shërbimit parësor e spitalor si dhe në vaksinimin dhe parandalimin e sëmundjeve.

Kjo ka përbërë fazën e parë bazë të domosdoshme të ndërhyrjes reformuese në sistemin e shëndetit publik. Tashmë janë plotësuar kushtet për kalimin në fazën tjetër të reformimit të sistemit në modelin e tij të administrimit, relacioneve me përfituesit dhe financimit.

Rezultatet në këtë fazë të dytë të reformës do të rrisin aksesin, diversifikojnë llojet e shërbimeve dhe ofrojnë shërbime më cilësore, njëherazi duke siguruar një qëndrueshmëri financiare të këtij sistemi. Realizimi i një sistemi shëndetësor cilësisht të ri do të jetë Motoja dhe Zemra e reformave për vitet 2009 – 2013.

Përafrimi i domosdoshëm me standardet Evropiane si dhe implementimi i përvojave dhe modeleve të suksesshme janë rrugët themelore ku do të eci tërësia e reformave në shëndetësi duke ruajtur arritjet dhe duke shpejtuar realizimin e reformave të reja.

Mbrojtja dhe përmirësimi i shëndetit të popullatës nëpërmjet shërbimeve të arritshme dhe të barabarta për të gjithë, realizimi i një sistemi shëndetësor cilësisht të ri, shërbime me standarde të bashkimit evropian për të gjithë Shqiptarët dhe reformimi i mekanizmave dhe instrumenteve financiare të cilët mbështesin e sigurojnë mbulim financiar efikas të kostove në rritje të sistemit shëndetësor, do të jenë këto shtyllat e reformës në shëndetësi.

Ky program reformash për transformimin e sistemit shëndetësor do të realizohet duke rivitalizuar administrimin e sistemit, duke modernizuar atë me qëllim përmirësimin cilësor të programeve kombëtare për parandalimin, kujdesin, trajtimin dhe rehabilitimin, realizimit të një skeme sa më të plotë të sigurimeve shëndetësore dhe bashkëpjesëmarrjes së pacientit me sistemin shëndetësor, si dhe rajonalizimin real dhe efektiv të spitaleve

                                                                   ***

Reduktimi i korrupsionit në sektorin e shëndetësisë do të bazohet në radhë të parë në masat me natyrë parandaluese dhe që mbështeten në krijimin e iniciativave anti-korrupsion

Investimet publike në sistemin shëndetësor do të rriten me shpejtësi duke arritur mbulimin e plotë të territorit me qendra të kujdesit shëndetësor parësor të pajisura me mjetet e përshtatshme. Ndërkaq do të vazhdojë investimi me ristrukturimin dhe modernizimin e qendrave spitalore të vendit me prioritet realizimin real të rajonalizimit të sistemit spitalor.
Po kështu do të investohet për krijimin e një sistemi të shërbimit kombëtar të urgjencës të unifikuar sipas standarteve dhe cilësisë së lartë i bashkërenduar me sistemet e urgjencës së vendeve fqinje.

                                                                ***

Sigurimi i burimeve financiare të bollshme dhe të qëndrueshme për sistemin shëndetësor përbën një nga sfidat më të vështira por edhe vetë thelbin e suksesit të këtij sistemi në të ardhmen. Buxheti per shendetesine do të rritet me 60%.

Qeveria është e vendosur të zbatojë modelin e blerjes së shërbimeve shëndetësore nga një blerës i vetëm, Institutit të Sigurimeve Shëndetësore si dhe blerjen e shërbimeve nga ofruesit privatë të tyre.

Qeveria është gjithashtu e vendosur të rrisë ndjeshëm masën e financimit në shëndetin publik dhe në investimet kapitale.

Gjithashtu qeveria do të mbështesë dhe nxisë zgjerimin e sektorit privat në shërbimin parësor e spitalor si një mënyrë për të kënaqur më mirë kërkesat në rritje për shërbime shëndetësore si dhe për një rritje dhe modernizim të sistemit shëndetësor shqiptar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.03 2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)