Procedura
Pasi subjekti ka paraqitur pranë ATP-së kërkesën së bashku me dokumentacionin e kërkuar, për kalimin në pronësi të oborrit në përdorim: ATP , brenda 30 ditëve, nga data e paraqitjes së kërkesës dhe dokumentacionit nga ana e subjektit, kryen verifikimin e hollësishëm të tyre (verifikimet kryhen në terren nga punonjësit e ATP-së).
ATP saktëson kufijtë e oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, duke kryer matje në terren. Në përfundim të shqyrtimit sipas afateve të mësipërme, ATP, harton vlerësimin ligjor dhe njofton subjektin sipas rastit, për:
-Të drejtën e tjetërsimit me shpërblim dhe detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve, për llogari të ATP-së, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e tjetërsimit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë.
-Të drejtën e tjetërsimit pa kundër shpërblim, duke i treguar kërkuesit kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e oborrit në përdorim, shoqëruar me plan vendosjen përkatëse.
-Mospranimin e kërkesës për tjetërsim, duke arsyetuar, me shkrim, në mënyrë të hollësishme kushtet e përcaktuara në këtë vendim, që nuk plotësohen apo provohen.
-Kërkuesi, me marrjen e njoftimit për të drejtën e tjetërsimit me shpërblim, paguan, në numrin e llogarisë së caktuar nga ATP, për llogari të Fondit të Kompensimit të Pronave. Pagesa bëhet jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së njoftimit nga ATP. Shkelja e këtij afati përbën shkak për mospranimin nga ATP-ja të kërkesës për tjetërsim.
ATP vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga:
- data e mbërritjes së mandatit, që vërteton pagimin e vlerës, në rastin e tjetërsimit me kundër shpërblim.
-data e njoftimit të kërkuesit për të drejtën e tjetërsimit pa kundër shpërblim.
Vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm, i cili merret jo më vonë se 3 muaj nga data e regjistrimit të kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues në regjistrin e protokollit të ATP-së, i njoftohet kërkuesit. ATP-ja ia përcjell vendimin për regjistrim ZRPP-së, e cila kryen procedurën e regjistrimit në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi. Poseduesi i pasurisë së paluajtshme pajiset me certifikatën e pronësisë, pasi të ketë paguar më parë (në momentin e paraqitjes së kërkesës) tarifën e shërbimit, të përcaktuar me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave.
Dokumentacioni i nevojshëm
Kërkesën sipas formularit tip. Dokumenti për të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin, që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja. Genplani i oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar
Dokumenti me të dhënat për gjendjen juridike të oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP. Dokumentet, që provojnë faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.08.1991. Këto dokumente mund të jenë një leje ndërtimi, e lëshuar nga organi përgjegjës i kohës, një akt zyrtar, i lëshuar nga arkivi teknik i ndërtimit, një akt i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, vendimi gjyqësor për vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së ndërtimit, aktnjoftimi përkatës ose dokumente zyrtare, të lëshuara nga organet e pushtetit vendor, brenda kompetencave të tyre.
Dokumenti, që provon pronësinë e mëparshme mbi oborrin në përdorim, që, për shkak të ligjeve të kohës, i ka kaluar në përdorim, pa kundër shpërblim, nëse kërkuesi aplikon për tjetërsimin e tij pa kundër shpërblim.
Çmimet e oborreve në përdorim
Për sipërfaqe deri në 100 m2 |
200 mijë lekë |
Për sipërfaqe nga 101 m2 - 200 m2 |
300 mijë lekë |
Për sipërfaqe nga 201 m2 - 300 m2 |
400 mijë lekë |
Për sipërfaqe nga 301 m2 - 400 m2 |
500 mijë lekë |
Për sipërfaqe nga 401 m2 - 500 m2 |
600 mijë lekë |


dy.b/shqiptarja.com











