COVID ka prekur rëndë stafin e kujdesit shëndetësor dhe mund të ketë vrarë midis 80,000 deri në 180 000 punonjës shëndetësor në botë, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Kjo kategori duhet të ketë prioritet për vaksinim, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, teksa ka kritikuar padrejtësinë në shpërndarje të vaksinave.
Vdekjet kanë ndodhur midis janarit 2020 dhe majit të këtij viti. Më parë, një zyrtar tjetër i lartë i OBSH -së paralajmëroi se mungesa e vaksinave, do të bëjë që pandemia të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
Aktualisht në botë besohet se janë 115 milionë punëtorë shëndetësorë. “Të dhënat nga 119 shtete sugjerojnë se mesatarisht dy në pesë punëtorë shëndetësorë në botë janë plotësisht të vaksinuar”, ka thënë Tedros. “Mirëpo natyrisht, kjo mesatare fsheh dallime të mëdha në mes të rajoneve dhe gjendjeve ekonomike”.
Më pak se një në 10 punëtorë shëndetësorë është i vaksinuar plotësisht në Afrikë, ka thënë ai, në krahasim me tetë në 10, në vendet e pasura. Më pak se 5 për qind e popullsisë së Afrikës është vaksinuar kundër koronavirusit, në krahasim me 40 për qind në shumicën e kontinenteve tjera. Shumica e vaksinave janë shpërndarë në vendet kryesisht të pasura.