OBSH ka njoftuar se nuk ka arsye për alarm lidhur me përhapjen e lisë së majmunëve, pasi kjo sëmundje nuk është e njëjtë me COVID-19, madje nuk ka arsye për një vaksinim masiv.
“Nuk është një sëmundje për të cilën publiku i gjerë duhet të shqetësohet. Nuk është si Covid-19. Nuk ka nevojë për vaksinim masiv”, tha ekspertja e OBSH-së, Sylvie Briand , gjatë një konferencë të vendeve anëtare të OBSH-së në Gjenevë.
Lidhur me masat parandaluese, Briand tha se pavarësisht rrezikut të ulët është e domosdoshme zbatimi pothuajse i të gjithave masave anti-covid të cilat rezultuan shumë efektive.
OBSH thotë se vendet duhet të regjistrojnë shpejt personat e infektuar dhe të izolojnë të prekurit.
Organizata parashikon se shumica e rasteve do të jenë të lehta. Megjithatë, gratë shtatzëna, fëmijët si dhe njerëzit me sistem të dobët imunitar kanë një rrezik më të lartë të infeksioneve serioze.
“Ne kemi një dritare të mirë mundësish për të ndaluar transmetimin tani. Por është e paqartë se sa të mëdha janë stoqet e vaksinave kundër lisë, të cilat supozohet të ndihmojnë gjithashtu kundër lisë së majmunëve”, tha ekspertja.
OBSH parashikon se numri i rasteve do të vazhdojë të rritet. Lija e majmunëve tani është e pranishme në më shumë se 20 vende sipas asaj që tha ekspertja.