PRISHTINË - Oda Amerikane, në kuadër të debateve dhe alternativave për "Trepçën", ka kërkuar një diskutim gjithëpërfshirës me institucionet e tjera kyçe, ekspertët e fushës, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe komunitetin lokal, duke i theksuar përfitimet e ristrukturimit dhe rivitalizimit të Trepçës, para të gjitha palëve të interesit.
Sipas KosovaPress, Oda Amerikane ka rikujtuar nevojën e një qasje të kujdesshme për të ardhmen e këtij gjiganti metalurgjik. Bazuar në rekomandimet e Komitetit të Industrisë së Rëndë të vitit 2013, Oda Amerikane ka mirëpritur iniciativën për hartimin e Ligjit të Veçantë për Trepçën, me qëllim qartësimin e statusit ligjor të ndërmarrjes dhe mundësimin e pjesëmarrjes së kapitalit privat në zhvillimin e kapaciteteve.
"Derisa është e kuptueshme urgjenca për moslejimin e likuidimit të kësaj ndërmarrje, kjo situatë nuk duhet të ndikojë në veprime të shpejta e të pamatura, që do të rezultonin në mosqartësimin e shumë aspekteve, duke përfshirë edhe detyrimet ndaj kreditorëve potencialë dhe burimet e investimeve të ardhshme.
Duke konsideruar procesin e nisur si tejet të vështirë, Oda Amerikane kërkon një diskutim gjithëpërfshirës me institucionet e tjera kyçe, ekspertët e fushës, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe komunitetin lokal, duke i theksuar përfitimet e ristrukturimit dhe rivitalizimit të Trepçës para të gjitha palëve të interesit.
Ndërkohë, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme mbi Privatizimin duhet të zgjidhë në mënyrë efikase, profesionale dhe objektive të gjitha pretendimet e kreditorëve potencial ndaj Trepçës, por duke pasur në konsideratë periudhën në të cilën janë bërë investimet e pretenduara nga këta kreditorë, e që ishte një periudhë kur vendi ishte në kushte të okupimit klasik, ku edhe vendimet e forcave okupuese për asetet publike nuk ishin në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit", thuhet në komunikatë.
Oda Amerikane rithekson nevojën urgjente që të adresohet dhe të gjendet një zgjidhje për të ardhmen e Trepçës, e cila në mënyrë prioritare do të synonte rezultatet më të mira dhe përfitimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës./ATSH/