Oferta e gabuar e politikës populiste

Oferta e gabuar e politikës populiste
Mazhoranca ka duartrokitur kërcënimin e kryeministrit për mbajtjen e një referendum popullor për çështjen e imunitetit. Pa hyrë në detaje, pa pasur asnjë studim, apo test paraprak, pa konsumuar mekanizmat kushtetues e ligjorë dhe pa analizuar koston politike e financiare të nismës, pushteti mendon se metoda më e mirë për të dominuar opozitën është refuzimi i mjeteve institucionale dhe kalimi në akte populiste, fshehur pas termit referendum. Historia e aventurave të tilla mbetet e brishtë në Shqipëri. Më 6 nëntor 1994 pushteti mendoi në të njëjtën mënyrë dhe rezultati dihet; vota u shndërrua në zgjedhje politike dhe mazhoranca humbi. Më 1997 një referendum tjetër parallel me votimin parlamentar ku PD e PS ishin në koalicion politik çoi në humbjen e monarkisë. Më 1998 nisma e mazhorancës për referendumin kushtetues fitoi vetëm falë bojkotit të opozitës dhe heqjes së kufirimit minimal për vlefshmërinë e referendumit. Prej atëherë mazhorancat politike të majta dhe të djathta kanë refuzuar çdo nismë parlamentare për referendum. Të tilla ishin nisma për marrëveshjen kufitare me Greqinë, ajo për rivendosjen e dënimit me vdekje, ajo për ndryshimet kushtetuese 2008, apo ajo për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Rasti më flagrant është ai i një muaji më parë kur mazhoranca refuzoi me arrogancë edhe nismën e 60 mijë qytetarëve për referendum mbi importimin e plehrave.
Duke e marrë edhe si të mirëqenë, skenari i referendumit ka disa defekte kushtetuese, ligjore, politike dhe morale. E para sepse referendum mund të zhvillohet vetëm me miratim paraprak parlamentar dhe të Gjykatës Kushtetuese, koha e zhvillimit të tij mund të jetë vetëm pranvera 2013 (para zgjedhjeve parlamentare), tematika kërkon konsensus paraprak ose të drejtë të palës tjetër për një nismë tjetër referendumi për tematikë shtesë, si dhe e gjithë ky debat ndodh në prag të vendimit të BE për statutin e vendit kandidat, 100 vjetorit të shtetit dhe zgjedhjeve të reja parlamentare. Çdo ekspert kushtetues mund të gjejë argumenta kundër tij dhe nëse kundërshtimi ndjek rrugë ligjore nisma referendare mund të shkojë drejt kalendrave greke.
Gjithësesi, defekti më i madh politik i nismës nuk janë kosto financiare, kohore apo shanset e fitores, por produkti i referendumit, pasi një përgjigje e thjeshtë për heqjen e imunitetit nuk sjell asgjë, nuk ka efekt në jetën politike e qytetare dhe nuk garanton progres në raport me ftesën e anëtarësimit në BE. Heqja ose kufizimi i imunitetit janë një hap pozitiv drejt transparencës demokratike, por jo gjithçka, jo zgjidhja e plotë dhe thelbësore. Madje në kushtet e Shqipërisë kemi shembuj të shumtë (zv/ministra, drejtorë, kryetarë bashkie, prefektë, sheaf policie, drejtues entesh publike dhe deri edhe bogidardë e njerëz me lidhje të forta pushteti), të cilët edhe pse janë pa imunitet, kanë pasur e kanë imunitet real shumë herë më të madh sesa deputetët apo ministrat. Psh, ushtarakët e gardës që u kërkuan të ndalohen nga prokuroria nuk patën imunitet, por ligji nuk u zbatua dhe qeveria ishte krenare për këtë. Shembuj të tillë janë të shumtë, gjë që është normale për një vend ku kufiri midis të drejtës dhe pushtetit është i standardeve parademokratike, diçka midis oligarkisë dhe regjimeve autoritare.
Defekti moral i nismës populiste është i dukshëm dhe lidhet me raportet me qytetarin. Kur BE, OSBE, SHBA dhe disa organizma të tjerë ndërkombëtarë kanë renditur në raportet e tyre problemet kryesore që shqetësojnë qytetarët shqiptarë, përgjigjia ka qenë thuajse e njëjtë: papunësia, korrupsioni i lartë i administratës, pushteti i pakontrolluar politik, krimi i organizuar, mungesa e shtetit ligjor, standardet e ulta të jetesës, etj. Pra heqja ose kufizimi i imunitetit nuk ka qenë e nuk mund të jetë prioriteti kryesor qytetar, - ai ka qenë dhe është një nga mjetet e shumta të pabarazisë dhe privilegjeve që politika ka krijuar për veten e tij për të rritur distancën nga qytetarët. Kështu, çdo referim të imunitetit për interesa qytetare apo kujdesin ndaj të varfërve, përbën spekullim, propagandë dhe fshehje reale të paaftësisë së politikës për zgjidhjen e problemeve qytetare.
Nga ana tjetër, politika që vrapon të duartrokasë referendumin për imunitetin, hesht, refuzon, anashkalon dhe denigron çdo nismë politike e qytetare që lidhet me interesa më të gjera qytetare, siç janë kalimi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 në referendum, zgjedhja direkte e presidentit dhe e parlamentit, liberalizimi i hapësirave lokale për referendume kundër projekteve të imponuara për ndotjen e ambientit, parqet industriale, projekteve bërthamore, liberalizimin ekstrem të arsimit, faljen e pikave turistike për kompani të lidhura me pushtetin, privatizimin me çmime e procedura spekulative të pasurisë kombëtare, etj. Pra, nëse politika mendon vertetë për qytetarët duhej të kalonte në referendum çështje shumë më prioritare sesa çështja e imunitetit. Refuzimi i çdo nisme për referendum qytetar dhe imponimi i një referendum formal politik përbën hendekun e madh midis pushtetit dhe qytetarëve, midis konceptit të oligarkisë dhe demokracisë, midis shtetit abuzues dhe shtetit të së drejtës. Arroganca e mazhorancës dhe miratimi i heshtur i opozitës, e cila, edhe ajo me të njëjtën logjikë e sjellje iracionale, tenton ta shfrytëzojë aventurën populiste për të nxjerrë prej saj përfitime politike, përbën një zhvillim konsensual në rrugë të gabuar.
Janë të gjitha këto arsye për të besuar se nisma për referendum dhe sjellja ndaj imunitetit nuk janë akte politike serioze, nuk janë veprime shtetarësh dhe nuk kanë e nuk mund të kenë impakt pozitiv as për demokracinë, as procesin integrues dhe as standardet e shtetit të së drejtës. Një klasë politike e korruptuar dhe e paaftë të dialogojë e të gjithë probleme, me mentalitet e sjellje komuniste dhe refuzuese ndaj standardeve europiane të demokracisë, - nuk është dhe nuk mund të jetë ushtruesi moral e institucional i sovranitetit popullor. Ata kanë humbur arsyen, logjikën, vetkontrollin, përgjegjësinë, aftësinë për ide e projekte zhvillimi, besimin te qytetarët dhe bashkë me to edhe besimin tek ushtrimi i pushtetit të deleguar. Në rrethana të tilla, ata po imitojnë modelet e Millosheviç e Lukashenko, modelin rus apo venezuelian, duke tentuar të forcojnë pushtetin përmes akteve populiste dhe referendumeve fiktive popullore.
Kalimi nga institucionet (dialogu e votimi parlamentar, reformat shumëpalëshe legjislative, konsultimi ndërkombëtar dhe rezultatet konkrete në favor të prioriteteve të përcaktuara nga BE) tek politika populiste (fjalime histerike në parlament, akuza e kundërakuza personale, refuzim të shtetit ligjor dhe sjelljes institucionale, zhvendosja nga institucionet tek vota e turmës militante mbështetëse), dhe keshtu, zevendedimi i agjendes integruese me mjete populiste, përbën produktin e vetëm konsensual të 6 gushtit. Kur qytetaret presin reforma dhe rezultate per evitimin e humbjes se trete te fteses per statutin kandidat ne BE, pergjigjia e politikes eshte konflikti populist, terheqja e vemendjes nga deshtimet e saj dhe fushata etiketuese per keto deshtime. Në cdo rast kjo ofertë është e mbetet gjysmake, spekullative, një zgjedhje politike e gabuar, e kushtueshme dhe me pasoja për qytetarët dhe vendin, - një bilanc tipik për regjimet dhe klikat politike, të cilat, në marrëzinë e abuzimit me pushtetin humbin jo vetëm sensin e masës dhe përgjegjësisë, por edhe ia lejojnë vetes të identifikohen me shtetin, popullin dhe kombin. Dhe kur politika/pushteti e humbet arsyen, atëherë shpetimi i vetëm janë qytetarët dhe shoqëria civile e përgjegjshme, kurajoze dhe aktive, një pasuri ende e brishtë, por me pritshmëri të madhe në Shqipërinë e vitit 2013.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Lojtari shijakas dërgohet në spital, pse u ndal ndeshja Flamurtari - Erzeni në Kategorinë e Parë

VIDEO/ Lojtari shijakas dërgohet në spital, pse u ndal ndeshja Flamurtari - Erzeni në Kategorinë e Parë