/ATSH-AFP/ - Presidenti francez, François Hollande, vlerësoi sot në OKB se tranzicioni politik në Siri fillon me largimin e Assadit, duke shtuar gjithashtu se nuk mund të imagjinohet asnjë zgjidhje politike me presidentin sirian.
"Ne duhet të bëjmë gjithçka që një tranzicion politik të mund të arrihet në Siri, ky tranzicion fillon me largimin e Bachar al Assad", deklaroi ai gjatë një konference për median.
"Në Siri, nuk mund të ulim në një tryezë viktimat dhe xhelatin", vazhdoi Hollande.
Ai akuzoi presidentin sirian se është përgjegjës për kaosin në Siri, duke përmendur një "tragjedi të prodhuar nga aleanca e terrorizmit dhe diktaturës".
Nga ana tjetër ministri francez i Mbrojtjes, Jean Yves Le Drian, ka deklaruar se Franca do të zhvillojë sulme të tjera ajrore kundër grupit Shteti Islamik (ISIS) në Siri, pas një operacioni të parë që kishte shënjestruar të dielën një bazë stërvitore të organizatës xhihadiste.