Në një studim të posaçëm për Shqipërinë Kombet e Bashkuara kanë evidentuar së paku tetë drejtime, me të cilat qeveria shqiptare mund të gjenerojë fondet e nevojshme për të rritur financimet e mbrojtjes sociale, kryesisht pensioneve dhe personave me asistencë sociale.
Rekomandimet e OKB i paraprijnë masave për parandalimin e varfërisë në moshat e treta.
Dy vitet e fundit pensionet e reja në Shqipëri po rezultojnë gjithnjë e më të ulëta për shkak të mosplotësimit të kritereve nga brezi që punoi në periudhën e tranzicionit më së shumti me paga të ulëta dhe informalitet.
“Hapësira fiskale” përkufizohet si burime të disponueshme si rezultat i kërkimit dhe shfrytëzimit aktiv në të gjitha burimet e mundshme të të ardhurave nga një qeveri. Ekziston një shumëllojshmëri e gjerë opsionesh për të zgjeruar hapësirën fiskale për më shumë burime për mbrojtjen sociale edhe në vendet më të varfra, sugjeron Programi i Kombeve të Bashkuara në “Opsionet strategjike të politikave për financimin e Zhvillimit të Qëndrueshëm”:
Zgjerimi i mbulimit të sigurimeve shoqërore dhe të ardhurave nga kontributet;
Rritja e të ardhurave tatimore;
Eliminimi i flukseve të paligjshme financiare;
Rishpërndarja e shpenzimeve publike;
Përdorimi i rezervave valutore fiskale që administrohen nga Banka Qendrore;
Menaxhimi i borxhit: huamarrja ose ristrukturimi i borxhit sovran;
Rritja e ndihmave dhe transfertave;
Miratimi i një kuadri makroekonomik më akomodues.
OKB i rishikoi mundësitë fiskale të Shqipërisë që mund të gjenerojnë fonde për pagesat buxhetore në shtresat e varfra përgjatë vitit 2021. Në këtë rishikim u këshillua një opsion që lejon disa deficite fiskale, për shembull në 2% të PBB-së, në mënyrë që vendi mund të rrisë burimet për mbrojtjen sociale pa rrezikuar stabilitetin ekonomik. Megjithatë, në nivelet aktuale të borxhit publik dhe presioneve inflacioniste, ky opsion nuk konsiderohet i realizueshëm.
OKB sugjeron se fizibiliteti i të gjitha alternativave të financimit duhet të vlerësohet nga këndvështrime të gjera.
Së pari, efektet ekonomike të secilës masë duhet të vlerësohen në drejtim të qëndrueshmërisë, promovimit të barazisë dhe përmirësimin e mirëqenies.
Së dyti, është e nevojshme të aksesohet kapaciteti i institucioneve shqiptare, duke përfshirë burimet njerëzore, financiare dhe të TI-së, si dhe strategji të mirë-projektuara për në mënyrë efektive
Së treti, është gjithashtu e nevojshme të vlerësohet se si mund të merren këto masa mbështetje nga aktorë të ndryshëm, të cilët mund të kenë interesa konfliktuale. Disa nga masat si formalizimi i ekonomisë informale, evazioni fiskal, kontrolli dhe lufta kundër flukseve të paligjshme financiare mund të sjellin të ardhura të konsiderueshme, por vetëm vite përpjekjesh të vazhdueshme, ndoshta më shumë se një dekadë.
Gjithashtu si rezultat i decentralizimit fiskal dhe administrativ të Shqipërisë që filloi në vitin 2015, një pjesë e madhe e administrimit dhe financimit të ndihmës sociale dhe shërbimeve sociale janë transferuar nga pushteti qendror tek pushteti vendor (61 bashki).
Bashkitë, në veçanti administratorët socialë, luajnë tani një rol kyç në identifikimin e familjeve që kanë nevojë për ndihmë ekonomike në para, duke verifikuar informacionin e vetë-deklaruar dhe duke monitoruar kushtet e jetesës së familjeve përfituese. Kostot e ndihmës ekonomike mbulohen nga transferimet e pushtetit qendror, megjithatë, 6% e buxhetit të ndihmës ekonomike “cash” u caktohen pushteteve vendore për miratimin e përfitimeve sipas gjykimit të tyre.
Bashkitë janë përgjegjëse për ofrimin dhe financimin e shërbimeve sociale. Çdo njësi administrative duhet të zhvillojë planin e saj të Kujdesit Social, i cili specifikon kostot për shërbimet dhe burimet e alokuara nga buxheti i bashkisë.
Të ardhurat e pushtetit vendor shfaqin një tendencë në rritje edhe gjatë viteve e pandemisë. Të ardhurat totale të pushtetit vendor u rritën nga 2.4% e PBB-së në 2015 në 3.7% në vitin 2021. Transfertat nga qeveria qendrore përfaqësojnë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave për pushtetet vendore, të cilat përbëjnë më shumë se 60% të të ardhurave totale. Taksat vendore u bënë forca shtytëse e rritjes së të ardhurave vendore. Gjatë pesë viteve e fundit, këto taksa u rritën me më shumë se 60%, duke arritur në 1.1% të PBB-së në vitin 2021.
Taksa e pronës dhe taksa e biznesit të vogël kanë qenë të qëndrueshme që nga viti 2016. Është e qartë se hapësira fiskale në qeveritë vendore është e pamjaftueshme për rritjen e konsiderueshme të mbrojtjes sociale financimi në nivel lokal.
Pandemia e COVID-19 tregoi rëndësinë e mbrojtjes sociale për të zbutur rreziqet lidhur me shëndetin publik, varfërinë dhe papunësinë. Megjithatë, kriza ka zbuluar boshllëqe në sistemin ekzistues të sigurimeve shoqërore. Në veçanti, kriza e COVID-19 ka theksuar rëndësinë e investimeve proaktive për të ndërtuar sisteme gjithëpërfshirëse dhe elastike të mbrojtjes sociale që mund reagojnë shpejt dhe në mënyrë efektive ndaj goditjeve kur ato shfaqen./Monitor
Te kontrollohen shitesit e bulmetrave, kasapet etj etj qe vazhdojne te mos japin kuponat tatimore. Ku eshte ministria, ku jane drejtorite/deget tatimore??? Keshtu mblidhet paraja per shtimin e ndihmave sociale dhe pensionet.
Përgjigju