SHBA akuzon Bashar al-Asad se ka përdorur armë kimike kundër rebelëve (VIDEO)

Damasku ka përdorur armë kimike majin e kaluar kundër rebelëve në provincën Idlib. Janë këto fjalët me të cilat Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në Kombet të Bashkuara, akuzoi regjimin sirian të Presidentit Bashar al-Asad për "kryerjen e një sulmi kimik majin e kaluar".  Kreu i diplomacisë amerikane tha gjithashtu se, "Kemi pasur konfirmime dhe në rast të përdorimit të ri do të ndërhyjmë".

Për Organizatën e Ndalimit të Armëve Kimike, municionet e ndaluara të klorit me gjasë janë përdorur gjatë një sulmi në muajin maj në një lagje në provincën Idlib, pasi testet laboratorike konfirmuan praninë e kimikatit toksik.

Mandati i hetuesve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike shtrihet vetëm në përcaktimin nëse gjatë sulmit janë përdorur armë kimike dhe jo në identifikimin e përgjegjësve.

Sipas SHBA, Siria është fajtore për përdorimin e gazit të klorit në sulmin e 19 majit ndaj rebelëve në krahinën Idlib në veri të vendit, në shkelje të angazhimeve të bëra në bazë të konventës që ndalon përdorimin e armëve kimike.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj regjimit të Asadit për t'i dhënë fund dhunës kundër civilëve sirianë," shtoi Pompeo.

Administrata Trump ka bombarduar dy herë Sirinë bazuar në dyshimet për përdorimin e armëve kimike - në vitin 2017 dhe 2018.
Në veçanti, në prill të vitit 2018 Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca bombarduan tre depo të armëve kimike siriane në përgjigje të një sulmi kimik që vrau dhjetra njerëz pranë Damaskut.

Që nga fillimi i luftës, në mars të vitit 2011, armët kimike janë përdorur në zona të ndryshme të Sirisë, duke shkaktuar mbi 1000 viktima.

Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad ka mohuar vazhdimisht se ka përdorur armë kimike dhe ka akuzuar rebelët se kanë inskenuar sulme të tilla për të fajësuar forcat qeveritare për këto mizori.

Përkundër angazhimeve ndërkombëtare, armët kimike janë përdorur kohët e fundit jo vetëm në Siri, por edhe në Irak, në Malajzi  dhe Sudan.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki