OKB, Thaçi: Dëmshpërblim për
luftën, Daçiç: Hetim për organet

OKB, Thaçi: Dëmshpërblim për <br />luftën, Daçiç: Hetim për organet
NJU JORK - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se Prishtina do të kërkojë dëmet e luftës në Serbi. Duke folur sot në Nju Jork në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar situatës në Kosovë, Thaçi tha i sigurt se së shpejti marrëdhëniet me Beogradin do të normalizohen dhe se së shpejti Kosova do të bëhet një anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara.

Sipas mediave serbe, Thaçi i ka kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat paralele të qeverisë së saj që mban në veriun e Kosovës, duke theksuar se Prishtina nuk do të lejojë krijimin e një “Republike Srpska” në Kosovë. Republika Srpska (RS) është etnitet i Bosnje-Hercegovinës me një shumicë serbe, ndërsa tjetra është Federata kroato-myslimane (BH)

Kryeministri i Kosovës, përsëriti “jo-në” e Prishtinës për t’i dhënë kompetenca ekzekutive komunitetit serb në Kosovë, ashtu siç kërkohet nga Beogradi, dhe denoncoi rolin destruktiv të Serbisë në Kosovë, e cila sipas tij është në dëm të sigurisë publike.

“Pavarësia e Kosovës është një fakt i padiskutueshëm dhe procesi i njohjes së saj është i pakthyeshëm”, tha Thaçi, duke deklaruar se pavarësia e Prishtinës është njohur deri më tani nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së.

Kryeministri serb Ivica Daçiç, i pranishëm në seancën e Këshillit të Sigurimit, nënvizoi angazhimin e Beogradit në dialogun me Prishtinën, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje që të garantojë paqen mes komunitetit serb dhe atij shqiptar.

Por “pajtimi” i tyre kërkon marrjen e vendimeve të vështira nga të dyja palët. Daçiç tha se është i gatshëm për negociata, megjithatë ai theksoi se Serbia nuk është gati për t’u poshtëruar dhe nuk është e gatshme të pranojë standarde të dyfishta. Ai tha se Beogradi nuk do të dorëzojë sovranitetin dhe nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij se pavarësia e Kosovës është e papranueshme.

Duke iu referuar raportit të OKB-së, Ivica Daçiç denoncoi pasigurinë e serbëve në veri të vendit, si subjekt i provokimeve dhe sulmeve të vazhdueshme.

Kryeministri i Serbisë ka bërë thirrje për një rol qendror të OKB-së në hetimin mbi trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë.

“Sot janë bërë nëntë vite nga ngjarjet e marsit kur janë vrarë 19 persona, janë vrarë shumë serbë dhe janë spastruar shumë fshatra dhe janë shkatërruar shumë monumente përfshirë ato nën mbrojtjen e UNESK-s… Askush nuk është dënuar dhe ne duam që krimi të mos mbetet pa u dënuar”, tha Daçiç para Këshillit të Sigurimit.

RRUGETIMI PER ARRITJEN E DIALOGUT

Dy ditë më parë Thaçi e Daçiç zhvilluan raundin e 7 të bisedimeve në Bruksel, në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Më tej mediat kosovare shkruan se dy kryeministrat udhëtuan në të njëjtin aeroplan drejt Nju Jorkut, aty ku u zhvillua mbledhja e OKB-së.

Mediat kosovare shkruanin se konfirmimi që Thaçi e Daçiç janë nisur bashkë për në Nju Jork erdhi nga vetë përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton, njëherësh ndërmjetësuese e takimeve të tyre.

Ky gjest u komentua nga zyrtarët evropianë si hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit.

Thaçi dhe Daçiç, për herë të parë, që nga fillimi i dialogut në Bruksel, kanë mbajtur konferencë të përbashkët pas përfundimit të raundit të shtatë të bisedimeve. Edhe pse deklaruan se nuk është arritur marrëveshje, të dy homologët u shprehën se janë bërë përparime në këtë fushë.

Fryma e zbutjes së konfliktit Kosovë-Serbi, u shfaq edhe gjatë ceremonisë së kurorëzimit të Papa Françeskut në Vatikan, ku gazeta kosovare Express publikoi një foto të kryeministrit Thaçi dhe presidentit serb Nikoliç teksa të dy shtrëngonin duart me njëri-tjetrin

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset