OKB, Thaçi- serbëve: Gjeni
forcë, përballuni me të kaluarën

OKB, Thaçi- serbëve: Gjeni<br />forcë, përballuni me të kaluarën
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit që Serbia të nis hetimet e krimeve të luftës të dokumentuara javën e kaluar nga organizata Fondi për të Drejtën Humanitare. 

Sipas Thaçit, Serbia nuk ka nisur as një të vetmin proces kundër disa qindra oficerëve dhe policëve të implikuar në këtë rast. "Ftoj lidershipin serbë të gjejnë forcë dhe të ballafaqohen me të kaluarën dhe ftoj Këshillin e Sigurimit të kërkojë nga Serbia ta marrë këtë raport me seriozitet të plotë”, ka thënë Thaçi.

Në fjalën e tij para përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu ka prezantuar zhvillimet kryesore politike dhe të arriturat që kanë ndodhur në Kosovë, jo vetëm në tre muajt e fundit, por në shtatë vitet e pas pavarësisë.

“Më lejoni të ritheksoj se në këto 7 vite, Republika e Kosovës, falë vullnetit dhe përkushtimit të popullit, politikës dhe komunitetit ndërkombëtar, ka ndërtuar shoqëri multietnike dhe institucione demokratike, stabile e të qëndrueshme dhe si rezultat i kësaj, Kosova është bërë faktor i paqes dhe eksportues i stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, ka theksuar Thaçi.

Ai më tej ka shtuar se përvjetori i shtatë i pavarësisë, e gjen Kosovën si shtet të konsoliduar, brenda dhe jashtë, derisa procesi i njohjes ka treguar se shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një faktor i domosdoshëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka informuar përfaqësuesit e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit edhe për organizimin e Samitit të radhës të Ballkanit Perëndimor, ku në muajin mars Republika e Kosovës do të jetë nikoqire e 6 ministrave të jashtëm të Ballkanit, përfshirë të Serbisë, ku do të flitet për projekte të përbashkëta investive.

Ai ka folur edhe për implementimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ku ka pas disa përparime të prekshme. 

Megjithatë, shefi i diplomacisë kosovare ka akuzuar Serbinë për vonesat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe kjo tregon se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga synimet dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës.

Po ashtu, Thaçi ka përmendur edhe raportin e botuar javën e kaluar nga organizata e famshme serbe, Fondi për të Drejtën Humanitare, që akuzon shefin e tashëm të ushtrisë serbe për krime mizore në Kosovë gjatë vitit 1999 dhe për fshehje të trupave të civilëve kosovarë të vrarë nëpër varreza në Serbi.
Thaçi ka kërkuar sërish ridefinimin e rolit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. 

“Duke vlerësuar arritjet e Kosovës në fushën e sigurisë dhe të stabilitetit ekonomik, social dhe politik, si dhe duke theksuar marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, i nderuar zoti President, është koha që Këshilli i Sigurimit të konsiderojë mundësinë për një UNMIK të transformuar, që duhet ta ndihmojë Kosovën për t’u anëtarësuar në Agjencitë e Specializuara dhe kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të ndihmojë Republikën e Kosovës në realizimin e aspiratave për t’ju bashkuar Kombeve të Bashkuara në të ardhmen”, ka thënë ai.



Redaksia Online
(g.f/Shqiptara.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf