Në një intervistë dhënë për gazetën “Shqip”, Oketa thekson se zgjedhjet e fundit ishin nga më të vështirat në historinë elektorale shqiptare, pasi sipas tij, pushteti ushtroi presion ndaj administratës, biznesit, si dhe u shënua dhunë ekstreme, ku mbeti i vrarë një përfaqësues i një force politike, si dhe u plagos një kandidat për deputet.
Zoti Oketa, tani që pritet formalizimi i rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, si e gjykoni këtë fitore të së majtës? Fitoi PS-ja me Rilindjen e saj, apo kemi të bëjmë me “Rilindje” të LSI-së?
Edhe sot pas gati tri javësh nga zgjedhjet e 23 qershorit, akoma është e paqartë se cili është institucioni, i cili do të formalizojë juridikisht rezultatin e zgjedhjeve. KQZ-ja, të cilës ju i referoheni, nuk ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për të realizuar një gjë të tillë. Diferenca e madhe e rezultatit të zgjedhjeve praktikisht uli tensionet politike, pasi nëse rezultati do kishte qenë i ngushtë, sot do ishim duke dëgjuar debate të pafunda politike e jo juridike në KQZ apo Kolegj Zgjedhor. Një gjë është e qartë që koalicioni i majtë fitoi me diferencë të madhe votash. Është e vështirë të thuash nëse fitoi ”Rilindja” e PS-së, ”Ecja e shpejtë” e LSI-së, apo humbi koalicioni qeverisës. Rezultati i parë në tërësi duket i vështirë për t’u quajtur rezultat i logjikshëm, pasi nëse është e shpjegueshme ajo që ndodhi me reduktimin e votave për PD-në, është disi i pashpjegueshëm shtimi i votave për LSI-së, deri një muaj para zgjedhjeve pjesë e qeverisjes 4-vjeçare apo dhe PDIU-së, PR-së edhe këto forca të koalicionit qeverisës. Nuk di cilat ishin arsyet që i bënë votuesit shqiptarë të votojnë këto forca. Ata mund të kenë shumë arsye për një shpërndarje të tillë të votës, por gjykoj se nuk mund të pretendojnë se kanë votuar kundër korrupsionit. Mendoj se një studim i posaçëm, i pasponsorizuar nga forcat politike, do të na ndihmonte të gjithëve të kuptonim arsyet e një shpërndarje të tillë të votës.
Në gjykimin tuaj, cilat janë pasojat e kësaj mazhorance që ka dhe shumicën e cilësuar të votave?
Është ende herët për të folur për pasojat e një mazhorance të tillë me 84 mandate, por një gjë është e sigurt dhe po duket qartë edhe gjatë këtyre ditëve. Pavarësisht 84 votave, kjo mazhorancë e re do të vuajë pasojat e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Pa dashur të paragjykoj, por mendoj se të gjitha lëvizjet e fundit që po bën Kryeministri në ikje me emërimet në drejtësi, do jenë nesër një alibi e mirë e Kryeministrit në ardhje për të justifikuar mungesën e ndëshkimit ndaj rasteve korruptive, apo sundimin e ligjit në tërësi. Shqipëria ka nevojë urgjente për korrigjim të Kushtetutës dhe respektim të pavarësisë së institucioneve.
Futja në këtë garë e FRD-së mos ishte disi e nxituar? D.m.th, që mund të prisnit zgjedhjet lokale të 2015-s për t’u testuar në një terren më të ngushtë elektoral.
Absolutisht jo. Futja e FRD-së në këtë garë ishte një gjë shumë normale dhe e kundërta nuk do të kishte kuptim. Një forcë politike duhet të testohet në zgjedhjet më të para që i jepet mundësia, përndryshe përse duhej krijuar ajo forcë.
Edhe pse ajo mori një numër të konsiderueshëm votash, FRD-ja nuk arriti të fusë të paktën një përfaqësues të saj në Parlamentin e ri. A ndieni keqardhje për mosfutjen tuaj në njërin nga dy koalicionet e mëdha? Ku sipas shifrave, të paktën do kishit dy deputetë.
Sigurisht që ndiejmë keqardhje që për shkak të një Kodi Elektoral të pandershëm jo vetëm me forcat politike, por në radhë të parë me qytetarët, pasi i ka shndërruar ata në “noterë” dhe jo zgjedhës, 30 mijë votat e FRD-së nuk përkthehen në përfaqësim në Kuvend. Por kjo nuk do të thotë se ndiejmë keqardhje për mosfutjen në asnjërin nga dy koalicionet. Koalicionet nuk mund të ndërtohen thjesht si funksione numerike, por duhen ndërtuar mbi disa principe dhe morale politike. Ne i kemi thënë të gjitha arsyet përse zgjodhëm rrugën më të vështirë dhe nuk kemi asnjë lloj pendese për këtë.
A mendoni se mund të ketë pasur pakt mes PD-së dhe PS-së kundër jush në numërimin e votave? Sepse, duke iu referuar numërimit të votave në rang vendi, ka një numër të konsiderueshëm të votave të pavlefshme.
Fatkeqësisht, në politikën shqiptare gjithçka është e mundur. Gjatë kësaj fushate, PD më shumë se e interesuar për rezultatin e saj ka investuar gjithçka, shpesh edhe jashtë çdo lloj morali, që FRD-ja dhe kandidatët e saj të mos kishin rezultat pozitiv në këto zgjedhje. Rezultati tregoi se më shumë se të dëmtonte FRD-në, PD-ja dëmtoi veten duke e çuar mbështetjen e qytetarëve për këtë forcë në kuota më të ulëta të këtyre 22 viteve. Më pas, për sa kohë, votat e qytetarëve do të vazhdojnë të administrohen nga forcat politike, proceset zgjedhore te ne do të vazhdojnë të shoqërohen gjithmonë me dyshime e hamendësime. Këto zgjedhje pavarësisht se do të cilësohen si “të lira” ndoshta janë zgjedhjet nga më të vështirat që kemi pasur gjatë këtyre 23 viteve. Presioni i pushtetit mbi administratën, detyrimi i saj të mbushte sheshet e të mbushte lista me emra që duhej të deklaronin votën pro qeverisë, presioni mbi biznesin, vrasja e një mbështetësi të një force politike dhe plagosja e një kandidati në Qarkun e Lezhës ditën e votimeve, tregojnë se zgjedhjet nuk janë vetëm thjesht rezultati, por shumë më shumë se kaq. Nëse do të vazhdojmë të bëjmë zgjedhje me të njëjtin sistem dhe klimë tensioni e mosbesimi ndaj kundërshtarit politik, historia e zgjedhjeve pa standarde do të jetë një histori, e cila do të vazhdojë gjatë dhe të vetmit të humbur nga kjo histori do të vazhdojnë të jenë qytetarët dhe Shqipëria.
Tashmë që në PD ka nisur gara për pasardhësin e Sali Berishës, e ardhmja e FRD-së si përfaqësuese e së djathtës, a lidhet me ndonjërin nga kandidatët për kryetarin e ri të PD-së? Cila është e ardhmja e Frymës së Re Demokratike?
E ardhmja e Frymës së Re Demokratike nuk është funksion i asnjërës forcë politike, por vetëm e strukturave dhe e forumeve drejtuese të saj. Në kushte të tjera, kur presioni i pushtetit mbi administratën dhe biznesin nuk do kish ekzistuar, jam i sigurt se rezultati do kishte qenë akoma më i madh. Sot kur pushteti nuk ka se ku t’i kërcënojë më votuesit, mundësitë e shtrirjes dhe rritjes së FRD-së janë akoma më të mëdha. Sigurisht, që ka nevojë për një analizë të qartë të rezultatit të 23 qershorit duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët dhe nisur nga ky rezultat, nisur nga 30 mijë votat e atyre qytetarëve që na besuan të ndërtojmë siç duhet punën për zgjedhjet e ardhshme lokale të pas dy viteve.
(Marre nga gazeta Shqip)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)