Oketa: Pronat e Ushtrisë
t’u shkojnë ish-pronarëve

Oketa: Pronat e Ushtrisë <br />t’u shkojnë ish-pronarëve
TIRANË - Kreu i grupit nismëtar të FRD, Gazmend Oketa, gjatë një interviste në studion e TV A1Report propozoi që pronat e Ushtrisë të nxjerra jashtë Planit të Përhapjes të shkojnë për ish-pronarët. Deklarata vjen një ditë pasi lista me pronat e Ushtrisë u paraqit në Komisionin e Sigurisë nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Sot deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi se këto prona që do të shkojnë për privatizim janë piketuar nga “klientët e Berishës”.

"Unë nuk jam në dijeni të privatizimeve të pronave të Ushtrisë por jam në dijeni të pronave të dala nga Plani i ri i Përhapjes hartuar nga Ministria e Mbrojtjes", tha Oketa gjatë bisedës me gazetaren Ola Bruko, ndërsa shtoi se "kjo listë bëhet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë".

Sipas Oketës, të gjitha objektet që nuk janë më të nevojshme nga Ushtria dhe shkojnë në Ministrinë e Ekonomisë për privatizim duhet t'u vihen në dispozicion si fillim ish-pronarëve. Në këtë mënyrë, tha ai, lehtësohet edhe fatura e qeverisë për kompensimin e ish-pronarëve.

"Forcat e Armatosura riorganizohen në personel, kur ky proces përfundon Plani i ri Përhapjes firmoset nga ministri. Pronat e cilësuara si të tepërta i vihen në dispozicion Qeverisë", u shpreh Oketa. Ai mohoi të ketë objekte të rëndësishme si Shkolla e Bashkuar apo Spitali Ushtarak në listën e re të përhapjes, paraqitur në Komsionin e Sigurisë nga ministri Imami.

"Unë mendoj se pronat duhet të jepen për pronarët e ligjshëm që quhen ish-pronarë. Kjo duhet të ishte zgjidhja më e mirë që do të zbuste edhe faturën e qeverisë për dëmshpërblimet", tha Oketa.

DOREHEQJA E ZYLES
Oketa foli edhe për çështjen e dorëheqjes së drejtorit të SHIU-t, Ylli Zyla. Sipas tij, në Komisionin e Sigurisë nuk ka mbërritur asnjë njoftim në lidhje me këtë dorëheqje dhe fakti që dalin shkresa me firmën e Zylës do të thotë “që ai është ende në detyrë” ose të paktën që “kërkesa për dorëheqje mund të mos jetë pranuar nga ministri Imami ose Kryeministri Berisha”.

Oketa nuk pranoi të fliste për trafik armësh në Ministrinë e Mbrojtjes por theksoi se ishte në favor të një hetimi parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe në lidhje me akuzat e opozitës së majtë për përgjime nga ky dikaster, Oketa nënvizoi se Komisioni Parlamentar mund të ngrejë një grup deputetësh që të hetojë enkas për këtë.

IMUNITETI
Në lidhje me heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, ai u shpreh në favor por pa rrezikuar arnime të kota në Kushtetutë. Oketa tha se nuk kuptonte gjithë këtë ngut për të ndërhyrë në Kushtetutë brenda datës 6 gusht, ndërkohë që gjatë gjithë këtyre viteve nuk është bërë një gjë e tillë. Gjithsesi, Oketa shtoi se Kushtetuta do të kishte nevojë edhe për ndërhyrje të tjera, përveç asaj për heqjen e imunitetit.

KODI ZGJEDHOR
Ndërsa komentoi në studion e A1Report reformën zgjedhore të aprovuar sot nga Kuvendi, Oketa tha se përshëndetjet e ambasadorëve të huaj e institucioneve ndërkombëtare ishin për konsensusin e arritur nga dy forcat e mëdha politike në vend, PS e PD, dhe jo për cilësinë e Kodit në vetvete. Ky i fundit, sipas Oketës, nuk siguron barazinë e votës dhe për këtë FRD votoi kundër në Parlament.

(rd/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares



×

Lajmi i fundit

Sylvinho pas eliminimit: Dua të pushoj, kemi 5 muaj që punojmë pa ndërprerje! Shqipërisë i zbulova lojtarë për 10 vitet e ardhshme

Sylvinho pas eliminimit: Dua të pushoj, kemi 5 muaj që punojmë pa ndërprerje! Shqipërisë i zbulova lojtarë për 10 vitet e ardhshme