Në tentativën e dytë të Oketës për të marrë fjalën në foltore kryetarja e Parlamentit iu drejtua Oketës duke i thënë se xhaxhai i tij kishte qenë kryetar i komisionit të të dënuarve dhe të internuarve politikë në kohën e komunizmit dhe për këtë ai duhej t’i jepte përgjigje qytetarëve të Durrësit që e kishin votuar. Jashtë Parlamentit Oketa sulmoi Topallin duke deklaruar se mazhoranca i kishte të gjitha votat për të hapur dosjet por nuk e ka bërë. Madje ai i kërkoi Topallit të nisë këtë proces duke hapur fillimisht dosjen e saj, të kryeministrit Berisha, kreut të opozitës Edi Rama dhe tërë grupit të PD-së.
SI NISI DEBATI, TOPALLI I NDERPRET FJALEN
Ora 10:00 Nis seanca. Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli i ndërpret fjalën Gazmend Oketës i cili sapo kishte nisur të fliste për vdekjen e ish grevistit Lirak Bejko. Në këtë moment ndërhyri Topalli duke i ndërprerë fjalën dhe duke thënë “Jeni jashtë rregullores..Bëni mirë të mësoni rregulloren”
DEBATI I ZBARDHUR
Oketa: Dje u varros Lirak Bejko...
Topalli: ndërhyn e ndërpret fjalën: Jeni jashtë rregullores. Bëni mirë të mësoni rregulloren
Oketa: Meqë e respektoni shumë rregulloren, na keni dhënë një dokument që është i vështirë për tu kuptuar
Topalli: Nuk ka pyetje prejani (mikrofonin) zotërisë.
Topalli: Një pyetje kam. Xhaxhai yt mos ka qenë gjë kryetari i komisionit të dënimeve dhe internimeve. Përgjigjen jepja qytetarëve të Durrësit, unë kam dosjet. Zoti Ksera mund ta merrni fjalën nga tavolina se është bërë agresiv edhe Gazi.
OKETA JASHTE KUVENDIT: PSE E KERKOVA FJALEN
Menjëherë pasi doli nga Kuvendi, Oketa nëpërmjet një deklarate për shtyp u shpreh i indinjuar për heqjen e fjalës, të cilën do ta mbante në respekt të Lirak Bejkos, një qytetari që në shenjë dëshpërimi arriti deri në aktin e vetëflijimit për shkak të indiferencës së qeverisë
”Debati kishte të bënte me heqjen e fjalës së një deputeti të Kuvendit. Të jem i sinqertë të mungon dëshira të flasësh në Parlament për vetë mënyrën si është menaxhuar Kuvendi sidomos pas zgjedhjeve të 2009. E kërkova fjalën t’i kërkoja Kuvendit të respektonte kujtimin e Lirak Bejkos, një qytetari që kaloi shumë persekutime para viteve 90 dhe jeta qenka e shkruar që edhe pas ’90-ës në demokracinë shqiptare vazhon të persekutohen. Topalli vazhdon t’i qëndrojë deklaratës se nuk ka asnjë koment për kërkesat dhe grevën e tyre, dhe kur qytetarët shqiptarë në shenjë dëshpërimi arrijnë në akte vetëflijimi që askush nuk do dëshironte. Por politikanët shqiptar më të rëndësishëm se jetën kanë karrigen. Pjesa tjetër është tejet e parëndësishme.... Homazhi i djeshëm dhe komentet e sotme në asnjë mënyrë nuk duhet të politizojnë qëndrimet e ish të përndjekurve, por besoj se Bejko e meritonte të thuheshin disa fjalë për të në Kuvend. Për të dhe ata që kanë bërë shumë për të sjellë demokracinë në Kuvend, pas viteve ’90. Ky ishte qëllimi im dhe pyetjes pse mazhoranca e shmang drejtohuni asaj”- tha Oketa.
TOPALLI TE HAPE DOSJET E VETA DHE TE GRUPIT PD
Jashtë parlamentit Oketa komentoi dhe sulmin e Topallit duke i përmendur xhaxhanë, që sipas kishte qenë kryetar i komisionit të të dënuarve dhe të internuarve në kohën e komunizmit. Oketa e cilësoi lojë të ndyrë politike për të cilën ishte përgatitur që në momentin kur ishte shkëputur nga PD.
“Kur dola nga PD u përgatita për gjithçka... Nuk dua të bie pre e lojrave të ndyra politike. Kur e kërkova për së dyti fjalën, dhe Topalli bën si besnike e rregullores së Kuvendit, doja t'i bëja me dije se një shkresë mbante siglën e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe kishte kokën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit dhe poshtë firmën e nënkryetarit të grupit PS, Erjon Braçe një dokument aspak i rregullt që Topalli e ka firmosur me sy mbyllur. I bëj thirrje medias me të tilla baltosje të mos bini pre e të fokusoheni në çështje të tilla. Le t’i vërtetojë Topalli nëse janë akuza që qëndrojnë. Jam votuar në Durrës pikërisht për shkak të mbiemrit dhe respektit që qytetarët kanë për familjen time. Topalli të hapë dosjen e vet, të kryeministrit, kreut të opozitës por kryesisht të hapë dosjet grupit të saj parlamentar.
Ky është një konsum politik pasi mazhoranca i ka pasur të gjitha numrat e duhur për të bërë transparencën e duhur. Sa e ka bërë e ka bërë për motive politike. Edhe ligji i lustracionit u hartua në kundërshtim me Komisionin e Venecias. Kam bindjen se klasës politike i mungon vullneti qoftë për të zbardhur sic duhet historitë e së kaluarës dhe cështje që kanë të bëjnë me ish sigurimin e shtetit dhe bashkëpunëtorë të tij. I mungon vullneti për të kontribuar në të mirë të vendit dhe për të vendosur përpara flamurin shqiptar dhe jo atë të partive”- tha Oketa.
Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)