Olldashi investim anti-PS
në Ujësjellësin e Fierit

Olldashi investim anti-PS <br />në Ujësjellësin e Fierit
Gjatë inspektimit, që bëri më 16 korrik në Kafaraj, për punimet e stacionit të ri të pompave të ujësjellësit të Fierit, ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi ftoi opozitën që ta inspektojë këtë projekt, për të parë dhe kuptuar më mirë impenjimin e qeverisë në drejtim të investimeve publike. Në fshatin Kafaraj ndodhen puset e ujit të pijshëm dhe stacioni i pompave që furnizon qytetin e Fierit, si dhe disa fshatra në periferi të tij dhe tre vjet më parë, përmes një bashkëpunimi me bankën gjermane KfW përfundoi edhe projekti i shtrirjes së rrjetit kryesor të furnizimit me ujë të këtij qyteti.
Projekti i ri i pompave, me një vlerë prej 3.5 milionë eurosh, është financim i Bankës Botërore, në vlerën e 2.5 milionë eurove dhe i buxhetit të shtetit në masën 1 milion euro.

Drejtori
Deri këtu, gjithshka duket si një inspektim normal i kreut të një dikasteri në një investim në dobi të komunitetit, për të cilin ai është direkt përgjegjës. Por, ftesa që ai i ka bërë opozitës ka diçka që nuk shkon. Kjo, për faktin se drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a. të Fierit është një ndër militantët më të njohur të Partisë Socialiste të Fierit, ndonëse në moshë të re, Salarjon Totaj, i cili i ndjek nga afër këto punime, duke qenë se është emëruar në këtë detyrë që prej 5 shtatorit të vitit 2011. Pra, opozita, jo vetëm që nuk mungon në këtë inspektim, por është e pranishme çdo ditë. Totaj, jo vetëm që është militant i PS, por shumëkush mund ta mbajë mend se ka qenë një ndër grevistët e urisë në 2010-ën, që janë shtruar në spital për probleme shëndetësore, pas protestave kundër mospranimit të qeverisë për të hapur kutitë e votimit parlamentar të 2009-ës për verifikim. I pyetur nga media më datë 9 maj 2010, se çfarë apeli bënte ai për qeverinë, Totaj përgjigjej: "I bëj apel qeverisë që ne nuk dorëzohemi, edhe pse bëhemi për spital dhe përsëri do të jemi atje. Të mos mendojë njeri që ne dorëzohemi pse vijmë në spital. Grevën do ta vazhdojmë derisa të plotësohen kërkesat tona, pra nuk dorëzohemi pa u hapur kutitë. Dy rrugë ka qeveria, ose të hapë kutitë, ose të largohet".
Qeveria as u largua dhe as hapi kutitë, por një vit më pas 25-vjeçari Totaj u emërua drejtor i një ndërmarrjeje serioze, që komandohet nga pushteti vendor, me shumicë socialiste. Duke mbetur gjithnjë opozitar.

Politika
Sipas zërave nga qytetarë të Fierit, por edhe burimeve pranë PS në qendër e në këtë qytet, duket se vëmendja e ministrit Olldashi për këtë investim nuk ka të bëjë aq shumë me vetë projektin, se sa me Totajn. Opinioni i ka të freskëta rastet e panumërta të bllokimit qeveritar të projekteve apo financimeve për Bashkinë e Tiranës, kur atë e drejtonte Edi Rama, nga Olldashi, Lulzim Basha dhe vetë kryeministri Berisha, deri në prishje me fadroma të punimeve infrastrukturore në fazë të avancuar ndërtimi, ndërkohë që aktualisht kryebashkiaku i ri arrin të fillojë një projekt pa marrë ende miratimin e KKRRTRSH-së, me sigurinë se askush nuk e pengon.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu i drejtohet popullit për armëpushimin në Liban

Netanyahu i drejtohet popullit për armëpushimin në Liban