Në ceremoni, Olldashi e cilësoi një moment shumë të rëndësishëm, qoftë për Ministrinë e Punëve Publike, qoftë për Entin Kombëtar të Banesave, veçanërisht për degën e Entit në Durrës, sepse ishte sendërtimi apo materializimi i një procesi të nisur kohë më parë dhe të kurorëzuar me Aktin Normativ për kthimin e shtëpive të pronarëve të ligjshëm, të cilat ishin të zëna nga qiraxhinj.
“Kemi materializuar procesin sepse, sipas asaj që Akti parashikonte, pronarët legjitimë iu drejtuan Entit, Enti më pas iu drejtua gjykatës, gjykata nxori titullin ekzekutiv dhe, sikurse ju e patë sot, ne kemi shpërndarë 30 titujt e parë ekzekutivë për qytetin e Durrësit. Titujt, me të cilët pronarët do t’u drejtohen zyrave të Përmbarimit, për të kryer tashmë lirimin e pronës së tyre të ligjshme, të pronës që prej 70 vjetësh pengohen ta gëzojnë”, u shpreh ai.
Sipas kreut të MPPT, procesi ka ecur shumë më mirë nga sa pritej. Ka pasur menjëherë një fluks kërkesash nga pronarët legjitimë në të gjitha degët e Entit Kombëtar të Banesave, kryesisht në Tiranë dhe në Durrës. Nga ana tjetër, ne po ndjekim me shumë kujdes ecurinë e procesit edhe në Gjykatë, veçanërisht në Gjykatën e Tiranës, që është edhe Gjykata më e madhe, për të mbajtur nën vëzhgim ritmet me të cilat dalin këto tituj ekzekutivë, theksoi ai. “Ne do të donim që procesi të ecte po kaq shpejt edhe në javët apo muajt e ardhshëm, në mënyrë që përfundimisht të përmbyllet. Sikurse e patë, procesi funksionon. Funksionon shumë mirë në të gjithë hallkat e veta. Më vjen mirë që në këtë moment ne arrijmë në mënyrë përfundimtare të bëhemi vërtet një shoqëri më e drejtë”, vuri në dukje Olldashi.
Lidhur me familjet që deri tani kanë banuar me qira në këto prona, ai tha se gjithkush që ka pasur dëshirën të aplikojë për një kredi me interes zero, ka aplikuar, por zgjedhjet në këtë moment janë indidviduale. “Dikush ka zgjedhur t’u bashkohet fëmijëve, dikush ka një banesë të dytë dhe do zgjedhë këtë banesë, dikush ka prona të paluajtshme dhe ka vendosur të transferohet në to, duke liruar pronën e paluajtshme që s’është e vetja”.
Janë 3.289 persona që deri tani kanë banuar në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm dhe që duhet të ndjekin në mënyrë të përshpejtuar të gjitha procedurat për të përfituar kredi me interes 0% për një afat deri në 30 vjet. Enti Kombëtar i Banesave dorëzoi para pak ditësh pranë Bankës Kombëtare Tregtare listën e të gjithë personave që banojnë në shtëpitë e ish-pronareve dhe që përfitojnë kredi me interes zero për një afat deri në 30 vjet për të zgjidhur problemin e strehimit te tyre dhe për të liruar ambientet ku banojnë aktualisht. Konkretisht, lista përmbante peshën kryesore nga Bashkia Tiranë, me 908 raste, duke vijuar me atë të Durrësit me 869 raste dhe të Shkodrës me 605 të tilla në total.
Redaksia online
(Gre.M/Shqiptarja.com)