Olldashi: Kalimi  në "Rrugën
e Kombit” kushton 5 euro

Olldashi: Kalimi  në "Rrugën <br />e Kombit” kushton 5 euro
Ministri Olldashi ka pranuar se autostrada Milot-Kukës-Morin, “rruga e kombit”, do të jetë me pagesë me mbarimin e këtij sezoni veror turistik në Shqipëri, pasi qeveria shqiptare është duke e kaluar mirëmbajtjen e saj te sektori privat. “Shumë shpejt do të kalojmë në fazën e dytë të prokurimit, që është tenderi për ofertat ekonomike, ku vlerësimi do të bëhet mbi bazën e disa kritereve rigoroze ekonomike, duke filluar nga tarifa, përqindja e të ardhurave që do t’i jepet shtetit nga koncesionari, si dhe disa aspekteve të tjera që janë përsëri me karakter ekonomik. Hapja e ofertave pritet që të bëhet në muajin korrik, ndërsa kalimi i plotë i rrugës për mirëmbajtje dhe operim te koncesionari do të bëhet në fund të muajit gusht. Koncesionarit, pas shpalljes si fitues, do t’i duhet kohë që të instalojë në rrugë edhe pikat e pagesës, që, siç është përcaktuar, do të jenë edhe te tuneli i Kalimashit”, tha Olldashi.
Tani, sipas kreut të Transporteve, shqiptarët nga të dy anët e kufirit do të “taksohen” me 5 euro për autoveturat dhe 7 euro për automjetet e rënda për çdo “çekim” të traut të tunelit të Kalimashit.

KOSTOJA
Sipas Olldashit, për mirëmbajtjen e rrugës Milot-Kukës-Morin nevojiten 10 milionë euro në vit, në kushtet aktuale ku rruga është e re. Nga përllogaritjet rezulton se fitimi i koncensionarit për 35 vjet është rreth 440 milionë euro nga vjelja e taksës, duke llogaritur numrin e automjeteve që qarkullojnë aktualisht, afro 4.200 automjete në ditë. Rruga ishte projektuar për një fluks mesatar prej rreth 12.000 automjetesh në ditë, ku shuma e taksave  që do të vilet nga koncensionari është e barabartë me vlerën totale të ndërtimit të kësaj rruge.Paraprakisht, ministria e Transporteve kishte mohuar kategorikisht pagesën për rrugën, por shifra shumë e lartë e kostos së mirëmbajtjes, së bashku me problemet e rënies së të ardhurave buxhetore, e bënë urgjent ndryshimin e qendrimit.

PATENTAT

Lejet e drejtimit të automjeteve të lëshuara nga autoritetet përkatëse në Kosovë dhe Shqipëri do të njihen këtej e tutje nga të dy palët. Marrëveshja për këtë qëllim është nënshkruar dje nga ministrat Olldashi dhe Mujota. Kështu, qytetari shqiptar mund të paraqesë patentën kombëtare në kufi me Kosovën dhe të lejohet të ngasë makinën edhe përtej kufirit, pa patur nevojë për një patentë ndërkombëtare dhe e njejtë gjë vlen edhe për patentat kosovare, që do të njihen në Shqipëri. Sipas dy zyrtarëve, kjo masë hyn në fuqi në prag të sezonit të pushimeve verore, duke favorizuar kështu ata që duan të pushojnë në të dy anët e kufirit.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash në Lituani

Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash në Lituani