A nuk udhëtonin kështu Rimbaud dhe Verlaine? Herodoti është shëmbulli më i përkryer, siç ishte dhe Celebi që përshkoi viset shqiptare shumë më vonë se qytetari dhe prekursori i tij antik.
Jacques Lacarriere, filozof, poet dhe eksplorator i miteve më të vjetra të botës kishte veç një pasion : udhëtimin. Një ditë më tregonte atje në shtëpinë e tij në Bourgogne, pranë një tabloje të madhe të Omerit, se si, kur ishte djalosh i ri, ai e la Sorbonne-n dhe u nis me “autostop” e herë me këmbë drejt Greqisë për te njohur orakujt e Delfit dhe hyjnitë në Olimpin tronditës.
Në këtë udhëtim ai mundi të zbulonte Janis Ricos që ishte në burg dhe ku përmes të dashurës së tij, ai i mori poezitë dhe i përktheu në frëngjisht duke e bërë të njohur poetin e madh në Perëndim, i cili linçohej në Greqi. Kështu udhëtonin Henry Miller, Durrell e shumë të tjerë apo Hemingway një udhëtar i përhershëm i tokës, detit dhe letërsisë. Kështu udhëtonte piktori Paul Gauguin të cilit nuk i mjaftonin hapësirat e Francës por duhej të nisej drejt Tahitit dhe ishujve Marquise për të krijuar gjenialitetin e tij.
Në takimin e fundit në Saint-Malo të Bretagne-s, të titulluar “Etonants voyageurs” (Udhëtarë të habitshëm), portreti i tablosë së Omerit, koka e një dervishi, ishte afishja prezantuese e këtij aktiviteti ndërkombëtar me artistë e mendimtarë nga e gjithë bota, mes të cilëve Edgar Morin apo Michel Le Brise. Jacques Lacarrière, kur u nda nga kjo botë (edhe pse ai vazhdon të udhëtojë aty ku është - sepse hiri i tij u hodh në det për të udhëtuar përjetësisht) ishte i pranishëm me tekstet dhe poezitë kushtuar veprës së Omerit, dervishëve, bareshave dhe kokave « omerike ».
Omeri nuk flet shumë. Kësaj rradhe dhe romancieri i njohur francez Gil Jouanard lexoi dy faqe nga libri i tij « Omer » i ilustruar shumë bukur në një libër arti. Dhe kudo, në çdo debat, afishja gjigande me dervishin e Omerit ishte e pranishme, duke simbolizuar vërtet atë dëshirë të madhe të njeriut për të udhëtuar e njëkohësisht habinë e tij ndaj njerëzve, botës.
Në fund të fundit dhe jeta e Omerit ka qenë veç një udhëtim pa fund: nga malet e Kërçovës ku lindi dhe u end si fëmijë, në Shkup ku u shkollua, në Stamboll ku studioi artet dhe njohu Leonardo Da Vinçin, pastaj udhëtimet e tij nëpër botë për të parë mjeshtrit e mëdhenj të pikturës dhe muzeumet më të mëdha, veçanërisht Rilindjen italiane, duke vazhduar me udhëtimet në ekspozitat e ndryshme që ai ka hapur nëpër botë.
Udhëtime dhe kujtime të shumta: kjo është një lëndë ku mbruhet historia personale dhe arti. Edhe pse i « ngujuar » aty në atelierin e tij, nën çati, midis tokës dhe qiellit, edhe në çastet e krijimit, ai vazhdon të udhëtojë. Po, pinjollët e Haxhi Bektash Veliut e të Jonuz Emré apo Rumit janë bohemë që jetojnë veç përmes udhëtimit. Dhe në gjumë Omeri vazhdon udhëtimet në botën e kujtesës së tij, imazhet e së cilës, të nesërmen ai nxiton ti hedhë në telajon që pret aty mbi kavalet.
Një Herodot modern është brënda tij…
[gallery]22687[/gallery]
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com