Omer Mamo: Pse kërkoj status
preferencial për ish-naftëtarët 

Omer Mamo: Pse kërkoj status<br />preferencial për ish-naftëtarët 
Një projektligj i ri me kosto prej 400 milionë lekësh në buxhetin e shtetit është depozituar në Kuvend. Deputeti i PDIU-së, Omer Mamo sqaron në një intervistë për Shqiptarja.com se synimi i ligjit është përfitimi i 5 mijë naftëtarëve në mbarë vendimin për pension, trajtim mjekësor dhe rimbursim të rasteve të ndërprerjeve të kontratave. Deputeti i Qarkut të Fierit, një ish-naftëtar, fushë në të cilën ka shpenzuar vitet e para të rinisë së tij, kërkon mbështetjen e kryeministrit dhe të ministrit të financave.

Z. Mamo, ju keni depozituar sot në Kuvend një projektligj për statusin e naftëtarëve. Çfarë është kjo nismë?
Pas 25 vitesh naftëtarëve të Shqipërisë i rikthehet dinjiteti në vend. Unë e sjell këtë projektligj, jo vetëm si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe deputet i PDIU-së, por edhe si një ish-naftëtarëve që e ka nisur punën në moshë shumë të re në sektorin më të vështirë të industrisë së naftës. Në këtë sektor kanë punuar me mijëra persona. Shumë nuk jetojnë më, por akoma më shumë janë të pa punë dhe pa asnjë mundësi për të fituar jetesën. Të punosh në industrinë e naftës ka kosto të mëdha shëndetësore sepse numri i të sëmurëve në zonat naftëmbajtëse është më i madh se kudo tjetër për shkak të nivelit të karbonit në gjak.

Përse po e ngrini sot këtë problem?
Sepse pak muaj më parë paraqita në Kuvend një projekt status të naftëtarëve dhe jam i bindur, unë dhe PDIU, do të gjejmë mbështetjen e kolegëve deputet të të gjitha forcave politike. Ne deputetët e Fierit, Beratit dhe Vlorës, kemi me vete votat e të gjithë naftëtarëve të cilët sot më shumë se sa kurrë kanë nevojë për mbështetjen tone. Ne sot duhet ti japim jetë kësaj nisme e cila parashikon një shpërblim dhe pension të drejtë për ato naftëtarë që kanë punuar në sektorin e naftës: Një pagesë të përkohshme për personat që kanë punuar dhe kanë ngelur të papunë deri në daljen e tyre në pension; Trajnimin shëndetësor falas për personat e prekur nga sëmundjet profesionale të industrisë së naftës; Hapjen e qendrave shëndetësore për trajtim specifik të tyre.  Fatura financiare e këtij statusi është shumë e vogël krahasuar me atë çka në të vërtetë meritojnë naftëtarët. Fatura është tërësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit dhe shpresoj të kemi edhe mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama dhe z. Ahmetaj, Ministri i Financave. Është detyrimi ynë përtej çdo ndarje partiake që bashkërisht ta përsosim këtë projektstatut për naftëtarët dhe ta votojmë përpara dhjetorit të këtij vitit dhe në mënyrë që në 1 janar çdo naftëtarë ta gëzoj këtë status. Unë do t’ju bëja me dije që ky është ai projekt status që naftëtarët e kanë pritur me vite të tëra. Për 25 vite klasa politike i ka premtuar, por sot iu rikthye dinjiteti duke e sjell një përfaqësues i tyre dhe një bashkëvuajtës i tyre.

Çfarë u siguron ky ligj naftëtarëve?
Ky projektligj parashikon se kush ka të drejtën për të përfituar këtë status që janë punonjësin që kanë punuar direkt në puset e naftës dhe të gazit, si dhe procedurën dhe dokumentet që duhen për të përfituar këtë status. Është parashikuar që paga të përcaktohet në bazë të kontratës kolektive të punës, por duke vendosur një pagë dysheme nën të cilën nuk mund të lidhet kontratat kolektive e punës e cila është sa 150% e pagës minimale në shkallë vendi. Ky përcaktim është vendosur duke parë vështirësitë e këtij profesioni, produktivitetin e punës, rreziqeve që ka, si dhe duke patur në konsideratë pagat që aktualisht paguhet në sektorin shtetëror dhe privat të shfrytëzimit dhe përpunimit të naftës. Një element i rëndësishëm i këtij statusi është edhe trajtimi me pagesë në rast ndërprerje të punës në këtë sektor me qëllim garantimin e një minimumi jetese dhe mos braktisjen e tyre. Kjo pagesë do të jepet nga shteti për ata ish-naftëtarë që janë nxjerrë të papunë, si dhe nga punëdhënësi për naftëtarët që janë në marrëdhënie pune dhe ndërpresin punën për shkak të ristrukturimeve apo shkurtimit të vendit të punës. Është parashikuar edhe mosha e daljes në pension dhe vjetërsia e nevojshme për të përfituar këtë pension. Për meshkujt është parashikuar mosha 60 vjeç me një vjetërsi të përgjithshme prej 30 vjetësh nga të cilat 20 vjet në një profesion si naftëtarë sipas përcaktimeve ligjore që janë në fuqi, ndërsa për gratë është parashikuar 5 vjet më herët se profesionet normale, të kategorisë së katërt për shkak të rritjes graduale të moshës së daljes në pension sipas ligjit të sigurimit të detyrueshëm shoqërorë. Periudha e punës në profesionet e parashikuar për gratë është 15 vjet dhe vjetërsia totale është 30 vjet. Për naftëtarët që janë aktualisht në punë është parashikuar edhe një kontribut shtesë në masën 5% përveç kontributit të detyrueshëm ne qëllim financimin e pensionit si rezultat i uljes së moshës së daljes në pension. Në këtë status është parashikuar detyrimi që do të kenë operatorët privat që përfitojnë një koncesion në fushën e naftës për krijimin e fondit profesional privat të pensioneve për naftëtarët me qëllim për të realizuar një mbrojtje më të mirë shoqërore dhe një pension më të mirë në moshën e pleqërisë. Ky fond profesional përveç një pensioni më të mirë në pleqëri, do të ulë edhe presionet ndaj skemës publike dhe buxhetit të shtetit për më shumë para nga pensionet publike duke ndikuar edhe në rritjen e qëndrueshme financiare publike. Gjithashtu, është parashikuar detyrimi për kontrolle mjekësore falas dhe kurimin falas të sëmundjeve profesionale të shkaktuara.

Besoni se do të gjeni mbështetjen e mazhorancës për këtë nismë që duket se do të ketë edhe kosto në buxhet?
Është në nderin e të gjithë forcave politike miratimi i këtij statusi pasi vendos dinjitetin e naftëtarëve dhe ish-naftëtarëve, dhe do të bëj të mundur rregullimin e marrëdhënieve të punës dhe pensionet duke realizuar një mbrojtje shoqërore dinjitoze dhe pa krijuar vështirësi financiare për buxhetin e shtetit, diçka që ka munguar për 25 vjet. Numri i përfituesve të këtij statusi llogaritet rreth 5 mijë persona përfitues të pensionit në vitin e parë si rezultat i uljes së moshës së pensionit me pesë vjet, llogaritet rreth 2 mijë persona. Kjo për faktin se një pjesë e ish-naftëtarëve janë në moshë pensioni dhe një pjesë e tyre fatkeqësisht kanë humbur jetën si rezultat i rrezikshmërisë që ky profesion ka. Efektet financiare të këtij ligji përllogaritet afërsisht në 400 milionë lekë në vit.
 
naftetaret


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së