GJIROKASTER - Organizata e minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA, do të nisë më datë 24 korrik regjistrimin në jug të vendit, pasi nuk njeh rezultatet e censusit të zhvilluar vitin e kaluar nga autoritetet shqiptare. Sipas OMONIA-s, censusi nuk dëshmon të dhëna reale të minoritetit grek në vend.

Vendimi për të nisur një regjistrim paralel të popullsisë minoritare u morr nga Këshilli Drejtues i OMONIA-s ditën e shtunë. Kështu, formularët do të shpërndahen në të gjithë zonat e jugut ku OMONIA mendon se jeton minoriteti grek. Në regjistrim do të marrin pjesë edhe ata persona që aktualisht nuk jetojnë në Shqipëri, bëri të ditur një komunikatë për shtyp e organizatën e shkruajtur në gjuhën greke.

Organizata e minoritetit grek në Shqipëri nuk e njeh regjistrimin e popullsisë të zhvilluar në Shqipëri qershorin e vitit të kaluar, rezultatet e të cilit nuk janë publikuar ende nga autoritetet vendore. Sipas saj, vetëm një regjistrim i minoritetit i organizuar prej saj do të pasqyronte numrin real të popullsisë me origjinë helene në jug të Shqipërisë.

OMONIA pretendon se procesi i regjistrimit do të jetë i rregullt dhe konform standardeve evropiane.

(im/shqiptarja.com)