Opera e tij “Rozafa” u hoq nga kalendari i Operas, producenti Andis Gjoni i përgjigjet akuzave të Tukiçit: Njeri joprofesional

Opera e tij “Rozafa” u hoq nga kalendari i Operas, producenti Andis Gjoni i përgjigjet akuzave të Tukiçit: Njeri joprofesional

Kompozitori David Tukici

Producenti Andis Gjoni i është përgjigjur kompozitorit David Tukiçi opera e  të cilit “Rozafa”, ndryshe nga ç’ishin pritshmëritë e tij nuk është bërë pjesë e programit, pavarësisht se Ministria e Kulturës e ka shpallur vepër fituese.

Andis Gjoni ka mohuar akuzat e bëra një ditë më parë nga këngëtari dhe tekstshkruesi i njohur, David Tukiçi ndaj drejtoreshës së Teatrit të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina, për të cilën ka thënë se gjykon dhe vendos bazuar në shijet, miqësitë, simpatinë dhe antipatinë personale.

Gjoni shkuan se projekti “Rozafa” u hoq nga kalendari me shumë të drejtë dhe krejtësisht për faj të kompozitorit David Tukiqi, pasi kur projekti u fut nën kalendarin vjetor, David Tukiqi filloi të paraqiste argumente të përditshme e sistematike duke e zvarritur e dëmtuar projektin.

Producenti Andis Gjoni, teksa bën me dije se çështjen do e çojë në gjykatë, thekson se projekti u paraqit për TKOB me idenë, konceptin regjisorial dhe skenografinë e përgatitur nga vetë ai.

Reagimi i plotë

Së pari sqaroj që drejtoria e TKOB nuk ka bërë asnjë veprim arbitrar në drejtim të projektit “Rozafa”. David Tukiqi edhe unë kemi marrë shpjegim me shkrim për arsyet e heqjes së projektit nga kalendari i vitit 2023. Kam dashur ta evitoj konfrontimin në publik midis dy profesionistëve, por kjo u bë e paevitueshme pas deklaratave jo të vërteta të kompozitorit David Tukiqi. Pra jam i detyruar të hedh dritë mbi projektin e dështuar “Rozafa” si më poshtë.

Në Janar të vitit 2022 unë u afrova tek kompozitori Tukiqi që të realizoj regjinë, skenat dhe kostumet e operas në fjalë dhe ramë dakord të bashkëpunojmë. Fillova punën dhe erdha disa herë në Tiranë enkas për këtë projekt. Këtë e dëshmojnë e-mailet pa fund mes meje dhe kompozitorit i cili mendonte ta vinte në skenë operan në Shkodër por unë sugjerova që të provonim TKOB pasi ishte i vetmi institucion me kapacitete për vënie në skenë të projekteve që kërkojnë një prapavijë dhe kolektiv artistik me eksperiencë.

Bazuar në idenë time për TKOB, krijova konceptin regjisorial, skenografinë dhe kostumet, plotësova dosjen e aplikimit pranë institucionit të TKOB sipas rregullave dhe e paraqita projektin i cili u aprovua bazuar në këtë dosje të hartuar prej meje dhe u fut në kalendarin vjetor. Në atë moment David Tikiqi filloi të paraqiste argumenta të përditshme e sistematike duke e zvarritur e dëmtuar projektin. Fillimisht mendova se kjo mënyrë komunikimi ishte stili i tij i punës dhe pjesë e debateve që ka puna për realizimin e projektit dhe i ri-punova konceptet skenografike e regjisoriale më shumë se 10 herë. Por kjo me sa duket ja shtoi “oreksin” kompozitorit i cili vazhdoi me kokëfortësi të ndërhynte në çdo element të produksionit duke marrë përsipër rolin e producentit, regjisorit, skenografit dhe kostumografit.

Debatet  e vazhdueshme dhe ndërhyrjet në punën e krijimet e mia e bënë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit dhe kështu u detyrova të largohesha nga ky projekt duke dhënë dorëheqjen. Sigurisht dorëheqja ime u shoqërua edhe me tërheqjen e dosjes së produksionit që unë kisha paraqitur që përfshinte konceptin regjisorial, skenografinë, skicat teknike, dhe skicat e kostumeve. Kjo e bëri automatikisht të pavlefshëm gjithë aplikimin për vënien në skenë të kësaj opere në TKOB. Meqenëse projekti “Rozafa” nuk kishte më dosje aplikimi me shumë të drejtë u vendos nga drejtoria e TKOB që të hiqej nga kalendari vjetor dhe ky vendim na u komunikua me e-mail të datës 03/08/2023. Sot e kësaj dite nuk di që kompozitori të ketë paraqitur ndonjë dosje të re aplikimi pranë drejtorisë ndaj së cilës po ankohet me “klithma” artistike. Ai sigurisht që është i lirë të paraqesë ç’të dojë por jo me punën time. Eshtë e pakonceptueshme që një person i cili shkaktoi kaq shumë humbje kohe dhe pune në fund të paraqitet si viktimë. Ky është një konflikt i filluar dhe i bitisur në mënyrën më joprofesionale të mundëshme nga David Tukiqi.

Si përfundim z.Tukiqi jo vetëm theu kontratën verbale që kishte me mua por me sa duket do më detyrojë të ndjek edhe rrugë ligjore pasi disponoj jo vetëm të gjitha e-mailet por edhe regjistrime me zë ku më është kërkuar të punoj e ndryshoj regjinë dhe skenografinë e kostumet por edhe dosjen e aplikimit për projektin “Rozafa”. Së fundmi i këshilloj gjithë ata që do marrin “guximin” të bashkëpunojnë me këtë “profesionist” të shkallës së parë që të marrin parasysh jo vetëm humbje kohe kolosale por edhe humbje personaliteti.

ANDIS GJONI (Producent/Regjisor/Skenograf)

Kujtojmë se një ditë më parë përmes një postimi në rrjetet sociale, Tukiçi gjerë e gjatë ka treguar se si vepra e tij “Rozafa”, ndonëse u planifikua në kalendarin artistik të TKOB-së, për tu vënë në skenë më shtator të këtij viti, ajo u “zhduk”  vetëm se skenografi dha dorëheqjen.

“Në fund të vitit 2021, përfundova së kompozuari operën time të dytë, bazuar në legjendën “Rozafa”, me libret të dramaturgut të mirënjohur shqiptar,  Z. Fadil Kraja. Pas shumë përpjekjeve për ta shfaqur në Shkodër apo Tiranë, më në fund arrita të planifikohej në kalendarin artistik të TKOB-së për tu vënë në skenë në datën 22 – 23 shtator 2023. Gjithashtu kjo opera u shpall projekt fitues nga Ministria e Kulturës për vitin 2023. Por, në fillim të muajit mars 2023, pra 6 muaj përpara datës së shpallur në kalendar, skenografi dha dorëheqjen nga ky projekt dhe po atë ditë, drejtoresha e përgjithshme Znj. Abigeila Voshtina, e hoqi nga programacioni operën “Rozafa” !!!”  ka shkruar kompozitori, duke theksuar më tej se drejtoresha e TKOB-së deri më tani nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me arsyen se pse e hoqi nga programacioni këtë opera. Sipas Tukiçit ky vendim është arrogant, madje, madje dhe mediokër për një person të diplomuar në muzikë.

Më tej, Tukiçi thotë se opera e tij “Rozafa”  nuk ishte vendosur as në kalendarin e vitit 2024 dhe se pavarësisht se vitin e ardhshëm është 70 vjetori i themelimit të TKOB-së në programacion kishte vetëm një vepër shqiptare.

“Në datën 20 dhjetor 2023 u shpall kalendari i vitit 2024.  Mora pjesë i bindur që opera ime “Rozafa” do të ishte vendosur automatikisht në kalendarin e vitit 2024. Por, për habinë time, vura re që pavarësisht se jemi në 70 vjetorin e themelimit të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit Shqiptar, dhe kur zonja Voshtina  nuk rresht së thëni që “TKOB nuk do të pushojë së foluri shqip” , kishte vetëm një vepër shqiptare , me shpjegimin qe 30% e publikut janë të huaj!!!” shkruan ai ndër të tjera.

Në fund të reagimit të tij, kopmpozitori ka parashtruar dhe një pyetje për drejtoreshën e TKOB-së: Ku duhet të shkojmë ne kompozitorët shqiptarë për të vënë në skenë operat tona nacionale të shkruara mbi trashëgiminë tonë të mrekullueshme kombëtare ???!!!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille