Legjenda e kalasë së Rozafës, një ndër gojëdhënat më interesante, që populli shqiptar e ka përcjellë brez pas brezi vjen krejt ndryshe në një shfaqje premierë operistike mbrëmjen e sotme.

“Legjenda e Rozafës në këtë produksion vjen si një magji e skenës. Vjen me një libret fantastik të Zef Zorbës dhe muzikë shumë të bukur të Ndoc Pistullit. Jam shumë i emocionuar që kthehem aty ku prindërit e mi kanë punuar kaq vite në skenë.”, thotë regjisori dhe skenografi Andis Gjoni

Pas 57 vitesh nga krijimi i saj, “Rozafa” del për herë të parë para publikut, duke rikthyer në skenë një vepër që ndërthur traditën, historinë dhe muzikën shqiptare në një produksion të përmasave të mëdha.

Me libret të Zef Zorbës, orkestracion dhe drejtim muzikor të Gridi Krajës, si dhe regji e skenografi nga Andis Gjoni, produksioni sjell në skenë solistët, Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOBAP-së, duke rrëfyer historinë e gruas që flijohet për ngritjen e mureve të kalasë së Shkodrës.

“Vjen një legjendë që e njohim të gjithë, por e muzikuar në një mënyrë të jashtëzakonshme. Mesazhi i sakrificës, dashurisë dhe besës besoj se do ta emocionojë publikun po aq sa na ka emocionuar edhe ne. Unë ndoshta e kam patur pak më të kollajtë sikurse jam edhe vetë nga Shkodra. Të gjithë personazhet, edhe ata që nuk janë protagonistë, thonë gjëra të mëdha dhe mesazhe shumë të forta.”, thotë baritoni Armando Likaj.

Për artistët, sfida ka qenë jo vetëm interpretimi vokal, por edhe sjellja me dinjitet e një prej rrëfimeve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.

“Ne nuk kemi shumë vepra që përfshijnë legjendën dhe nuk kemi shumë vepra që përfaqësojnë dhe flasin për identitetin tonë dhe akoma më bukur që flasin në gegnisht. Kështu që kjo mendoj që ka shumë komponentë të historisë tonë, të prejardhjes tonë dhe kjo është thelbi dhe rëndësia. e kësaj vepre që ka ardhur në një formë shumë shumë të bukur, të cilën ju ftoj të gjithëve të vini ta zbuloni.”, thotë sopranoja Nina Muho.

Opera ruan frymën e legjendës, ndërsa e përcjell atë me një gjuhë artistike bashkëkohore përmes muzikës, skenografisë dhe interpretimit.