Një operacion i madh antridrogë në kryeqytetin italian, Romë, ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti shqiptar të trafikut të lëndëve narkotike. Si rezultat janë sekuestruar 350 kg kanabis, 500 gr kokainë si dhe katër pistoleta, dy prej të cilave kontrabandë, veshje të policisë italiane të përdorura për të lehtësuar aktivitetin e tyre kriminal.
 
Operacioni i koduar "Ça bon2" u shtri në disa zona, me ndihmën e policsë së Ancona, Cuneo, Padova, Prato dhe Viterbo, ndërsa në finalizimin e tij u përfshinë rreth 100 policë të departamentit hetimor dhe njësitë speciale të Policisë së Shtetit.
 
Që në orët e para të mëngjesit të sotëm policia e Romës ka ekzekutuar urdhër arreste për 22 shqiptarë, të akuzuar si pjesë e një organizate kriminale që merrej me importimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, por edhe me veprimtari të tjera të kundraligjshme si grabitja e me armë.
 
Grupi në fjalë vepronte prej disa vitesh në Itali, ndërsa bazën e tij logjistike e kishte në zonat e Torvaianica, Pomezia dhe Ardea afër kryeqytetit. Ata vepronin në rrethinat e Romës ku ata zhvendoseshin me lehtësi, sidomos në zonat me dendësi më të lartë të shtetasve të huaj. Por nën vëzhgimin e tyre kishn edhe zona si Puglia, Piemonte, Marche dhe Toscana.