Për herë të parë Byroja Kombëtare e Hetimit ka zbritur në terren me njësinë e saj të armatosur si pjesë e vizionit të kreut të SPAK. Kjo njësi pjesë e sektorit të taktikës në BKH, përbëhet nga agjentë të trajnuar dhe armatosur, mbrëmjen e 1 korrikut ka kryer operacionin e parë në qytetin e Durrësit. Në pranga ka rënë një personazh i njohur për CV-në e tij kriminale dhe i shpallur në kërkim nga SPAK për llogari të operacionit “Ura”.

Adi Çoba u prangos nga agjentët në një banesë në zonën e plazhit në Durrësit, ndërsa mësohet se s’ka bërë rezistencë. Agjentët e BKH-së kanë dorëzuar në laboratorin e ekzaminimit celularin e sekuestruar Çobës ndërsa në filtër po kalojnë edhe veprimet e zyrtarëve të policisë për të faktuar nëse kanë shmanguar apo jo arrestimin e personave të kërkuar.

Burime për weblajm.com mësojnë se në listën e të kërkuarve janë lokalizuar edhe 24 shtetas të dyshuar.

Nga informacionet e mbledhura nga BKH rezulton se ata fshihen në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe Elbasan. Prej 2 javësh këto qytete janë nën monitorimin e njësisë speciale, e cila ka lokalizuar vendet ku ata fshihen.

Mes të kërkuarve ka rezultuar se disa prej tyre fshihen në vila dhe resorte luksoze, të cilat ndodhen në zonat bregdetare të vendit.

Daljen në terren të njësisë speciale të BKH e paralajmëroi një ditë më parë kreu i SPAK, z. Braho, i cili, teksa raportoi në Kuvend, tha se SPAK dhe BKH shumë shpejt do të kryejnë edhe vetë arrestime dhe ekzekutime të vendimeve gjyqësore apo masave të sigurisë.

Aktualisht, BKH, ka nisur në terren riformatimin e saj me sektorët e hetimit, ku fokus ka marrë krimi ekonomik, asetet, vëzhgimi në terren dhe lokalizimi i personave anëtarë të grupeve kriminale./Weblajm