Operacionet e femrave,
lamtumirë bisturi

Operacionet e femrave,<br />lamtumirë bisturi
Kur dëgjojmë togfjalëshin “ndërhyrje gjinekologjike”, ajo që na shkon menjëherë në mendje është operacioni tradicional nëpërmjet bisturisë. Por, së fundmi, tendenca e mjekësisë gjinekologjike po shkon drejt ndërhyrjeve më pak komplekse, me sa më pak dhimbje, e mbi të gjitha pa komplikacione të mëvonshme. Një nga mjekët kirurgë, të cilët po e përdorin shumë këtë metodë, është dr. Vasil Angjeli, i cili është mjek kirurg gjinekolog-Onkolog. Në një intervistë për suplementin “Shëndeti”, kirurgu Angjeli tregon se si funksionojnë këto lloj ndërhyrjesh, sa efikase janë dhe cilat janë avantazhet e tyre.



Doktor, keni një vit që përdorni metodën e Laparoskopisë për pacientet tuaja. A ka filluar të njihet kjo metodë edhe në Shqipëri dhe sa të interesuara janë femrat për të aplikuar këtë lloj ndërhyrjeje?
Kirurgjia në gjinekologjinë moderne po zhvillohet me hapa mjaft të shpejtë në vitet e fundit, saqë ndërhyrjet kirurgjikale po realizohen duke përdorur vetëm një mënyrë, atë të ndërhyrjes nëpërmjet një vrime nga kërthiza, ose ndryshe Laparoskopisë, e duke shmangur gradualisht mënyrën klasike kirurgjikale me incision ose ndryshe, prerje të murit të barkut të pacientit. Në fakt, interesi është i madh pasi në një vit, ekipi im mjekësor ka realizuar në Shqipëri, 251 operacione gjinekologjike nga kërthiza, nga të gjitha moshat dhe kombësitë.

Nga se vuajnë më shumë femrat shqiptare, dua të them të cilat lloji kanë qenë këto ndërhyrje laparoskopike?

Nga ndërhyrjet që kemi realizuar, 54 Laparoskopi kanë qenë për heqje uterusi, ose thënë ndryshe, të mitrës, 102 ndërhyrje kanë qenë për heqjen e Fibromiomave ose siç njihen ndryshe të tumoreve me përmasa të ndryshme dhe nga pozicionet më delikate të uterusit. Ndërsa 95 Laparoskopi të tjera kanë konsistuar në heqjen e cisteve patologjike nga vezoret.

Çfarë lloj ndërhyrjesh përfshihen në metodën e Laparoskopisë?
Me këtë teknologji të re është e mundur të realizohen të gjitha operacionet standarde gjinekologjike, si: Heqja e cisteve ovariane, heqja e fibromiomave ose ndryshe mish i huaj, tumor nga mitra, gjithashtu dhe heqja e kësaj të fundit, që është edhe operacioni klasik gjinekologjik.

Pse laparoskopi dhe jo ndërhyrje klasike? Cilat janë avantazhet e kësaj metode?

Avantazhi i operacioneve nga kërthiza, ose ndryshe Laparoskopisë është se komoditeti i pacientes është i jashtëzakonshëm në krahasim me operacionet klasike. Së pari, kohëzgjatja e qëndrimit në spital është disa orë më pak sesa në operacionet si Histerektomia, për arsye se pacientja nuk ka prerje në bark, por vetëm një ose dy vrima shumë të vogla, që mbyllen shumë shpejt. Nga ana tjetër, dhimbjet janë minimale ose të papërfillshme, ndërsa rreziku i infeksionit të plagës nuk ekziston. Gjithashtu, rikthimi i pacientes në jetën e saj normale është jashtëzakonisht i shpejtë, brenda 24 orëve.

Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje, a ekziston rreziku i ndonjë komplikacioni, sidomos për femrat e moshave të reja që duan të bëhen me fëmijë?
Veçanërisht, për gratë e moshave të reja, të cilat kanë probleme gjinekologjike si fibromiomat apo cistet në vezore, të cilat duhet të hiqen me ndërhyrje kirurgjikale, Laparoskopia është ideale, sepse në këtë mënyrë ruhen organet gjinekologjike dhe plaga është aq e vogël, saqë nuk lë pasoja për të ndikuar në fertilitetin e tyre dhe dëshirën për të pasur një fëmijë.



Hemorragjia
Kjo lloj metode shmang humbjen e gjakut. Si pasojë e hapjeve të vogla që bëhen në këtë ndërhyrje shmanget dhe krijimi i aderencave, pasi shmanget kundërveprimi i indeve lidhore të barkut.

Fertiliteti
Heqja laparoskopike e inomiomave rrit mundësinë e riprodhimit, sikurse shëron dhe periudhat që shoqërohen me humbje të vogla të sasisë së gjakut gjatë ndërhyrjes dhe të mos krijimit të aderencave.



Si funksionon ndërhyrja laparoskopike?
Në kirurgjinë laparoskopike, nuk realizohen prerje të barkut, përveçse “plagë” të madhësive 0.5 - 1 cm. Ndërmjet këtyre hapjeve realizohet operacioni me anën e disa veglave të veçanta, ndërkohë që pamja ofrohet nga kamerat, të cilat e paraqesin në ekran.

Avantazhet
Avantazhet e kësaj metode kanë të bëjnë me pamjen e qartë e me cilësi të lartë, nga ku jepet mundësia për kirurgun që të vendosë diagnozën e saktë për patologji të ndryshme dhe të ofrojë terapinë më të mirë të mundshme

Rasti
Një rast karakteristik është endometrioza, një patologji e përhapur në pjesën më të madhe të popullsisë femërore, nga ku 1 në 7 gra pësojnë zhvendosje të vogla ose të mëdha të indit endometrioz, d.m.th. të indit që do të largohet nga mitra çdo muaj, në mënyrë të tillë që të kemi ciklin menstrual

Si ndërhyhet

Si pasojë, pacientet kanë dhimbje gjatë ciklit, kontaktit seksual, dhimbje në mes dhe në disa raste, edhe rënie të pjellorisë. Me anë të laparoskopisë, diagnoza dhe terapia kryhen me sukses të madh, akoma dhe në sipërfaqe më të vogla të endometrit, në të cilat ndërhyrjet kirurgjikale të hapura, nuk do të kishin të njëjtin efekt.

(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi