Avokati Përparim Caca dhe analisti Arben Meçe kanë diskutuar në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv mbi operacionin për arrestimin e Ergys Agasit dhe ish-punonjësit të Policisë, Uljan Shpataraku.

Caca tha gjatë fjalës së tij se Policia ka ruajtur momentin e duhur pas disa orësh ndjekjeje për ta vënë në pranga. Gjatë debateve me të ftuarit e tjerë, ai shtoi se edhe mafiozi italian Toto Rina është mbajtur për orë të tëra në ndjekje para arrestimit dhe kjo sipas tij s’ka asnjë problem.

“Ka një vendim për një masë sigurie që duhej ekzekutuar. Tashmë ai është kapur. Është zbatuar një vendim gjykate. Kur bëhet një operacion i caktuar, ajo që mua më bën përshtypje është se gjithmonë SPAK ka thënë se ka pasur dyshime dhe problem t’i besonte Policisë. Këtu nuk jemi në atë situatë. Është pikërisht policia që e arreston Agasin. Edhe Toto Rina është mbajtur me orë në vëzhgim. Policia ka parë momentin e volitshëm kur duhej arrestuar, që nuk ka pasur nga të shkonte”, tha mes të tjerash Caca.

Nga ana tjetër, analisti Arben Meçe tha se operacioni për arrestimin e Agasit dhe Shpatarakut, i finalizuar nga blutë, tregon se Policia e Shtetit nuk është e blerë.

Megjithatë Meçe shtoi se disa detaje të operacionit mbeten për t’u sqaruar, pasi sipas tij, kanë shumë paqartësi.

“Gjithë skenari që ju na sollët për analizë flet për një raportim të Policisë. Raportimi i Policisë fillon dhe mbaron me një aksion të drejtpërdrejtë të saj. Në gjithë aksionin e Policisë nuk shoh as BKH e as SPAK. Personi është shpallur në kërkim nga GJKKO dhe është nën juridiksionin e BKH-së. Këtu ka një pikëpyetje. Sepse Policia thotë ‘informatori na tha ne dhe ne vepruam’. Ndërkohë nuk ka një sekuencë që në momentin e parë që Policia merr një informacion, menjëherë njofton prokurorin. Aq më tepër që duhet të njoftonte edhe BKH që të ishte prezent. Gjithë raporti nuk flet fare për këtë gjë. Ajo që mua më pëlqen është se paskemi një Polici që nuk qenka e blerë”, tha mes të tjerash Meçe.


Lajmi kryesor:

Operacioni për arrestimin e Agasit/ Karanxha: Gabimi që bëri biznesmeni dhe Shpataraku, ish-polici të mos fliste pa u njohur me provat! Petraj: Më duket si një triller i sajuar bukur