Ergys Agasi, i akuzuar se drejton një grup të strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI-it, ditën e fundit të lirisë u ndoq hapi pas hapi nga forcat e policisë, thuajse gjatë gjithë kohës me dron, i cili ka dokumentuar me video dhe foto çdo lëvizje të tij. Agasi u pikas mëngjesin e 26 gusht në një kompleks vilash në zonën e Shkozetit në Durrës , të njohura si baza e Visit të Pojës. Pak para mesditës së 26 gushtit e mori mjeti luksoz, me të cilin udhëtoi drejt Elbasnit, ku qëndroi për gati 5 orë pranë Tregut Agroushqimor në pronësi të babait të shumëkërkuarit Suel Çela.  Rrugës në kthim policia e prangosi te Plepat bashkë me Uljan Shpatarakut.

Minutë pas minute, çfarë ndodhi ditën e arrestimit të Ergy Agasit:

Para ditës së arrestimit njoftohet patrulla e forcave shqiponja në Durrës që Ergys Agasi është në një makinë në lëvizje.

Ora 08:00 (26 gusht): Policia ngre pika kontrolli dhe dronin për vëzhgim nga ajri. Informacioni ishte që Agasi ishte akomoduar në kompleksin e vilave në Shkozet, të njohura si vilat e Visit të Pojës, Elvis Doçit. Ngrihet droni mbi kompleksin e vilave.

Ora 11:39:  Ergys Agasi konstatohet duke dalë nga ambientet e katit të dytë të kompleksit të vilave, i veshur me bluze te bardhe dhe pantallona treçerekëshe ngjyrë te zeza. Agasi vazhdon në drejtim të hollit në katin e parë të kompleksit dhe futet ne ambientet e brendshme të kompleksit.

Ora 11:59: Droni konstaton se makina Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, duke hyrë në ambientet e kompleksit, hyn në portën kryesore të kompleksit, vazhdon drejt parkimit nëntokësor të kompleksit të vilave. Për shkak të xhamave të zinj nuk mundet të konstatohet se kush ishte brenda

Ora 12:02: Nga pamjet me dron kontatohet se e njëjta makinë, vetëm pas 3 minutash del nga bodrumi i kompleksit të vilave, dh4e në sediljen epërparme, në krah të drejtuesit të mjetit, u vërejt një person që dyshohej se ishte Ergys Agasi (person në kërkim), i ulur pasagjer në sediljen e përparme të automjetit.

Ora 12:03: Makina vijon të ndiqet nga droni  Automjeti Audi A6, del nga kompleksi i vilave, në drejtim të Nishtullës, rrethrrotullimit të Shkozetit, drejtim Plepave, ku futet nëpër rrugët në afërsi të shinave të trenit, që të nxjerrin në rrugën eP lazhit, Durrës, ku, pasi arrin në zonën e Plepave, vazhdon drejtimin drejt autostradës, në drejtim të Kavajës, Rrogozhinës, në drejtim të Peqinit, Elbasanit

Ora 13:35: Një orë e 32 minuta më pas makina nuk futet në qytetin e Elbasanit, por bën rreth rrotullimin e Bradasheshit, vazhdon në drejtim tregut agroushqimor, dhe kthehet djahtas për t’u future aty brenda. Tregu agro ushqimor është në pronësi të babait të Suel Çelës. Droni nuk e mbajti më nën vëzhgim. Grupet e vëzhgimit, makinat e policisë u vendosën në rrethrrotullimin e bradasheshit.

Ora 18:16: Makina del nga rruga “Kadri Hoxha” ku ndodhet tregu agroushqimor dhe vazhdon të njëjtin itinerar të mëparshëm, tashmë në krah të kundërt, nga Elbasani në drejtim të Durrësit. Sapo mbërrin në zonën e Plepave, në bashkëpunim dhe koordinim me shërbimet e tjerame uniformë të Drejtorisë Vendore Durrës, u bë i mundur arrestimit. Ku i gjetën Ergys Agasi (person në kërkim), i ulur nësediljen e përparme, dhe Uljan Shpataraku.

Lajm në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:01
Droni e kapi ‘mat’ duke marrë Agasin nga vila/ Shpataraku: Nuk kam ndaluar, ika direkt në Elbasan! Makinën ia mora ‘Tomit’, e imja nxehej

1791378683_ergysagasi.jpg

Gjatë marrjes në pyetje, Uljan Shpataraku ka dhënë shpjegime edhe për Audi A6 me të cilin u kap duke lëvizur bashkë me Ergys Agasin. Ai ka deklaruar se automjetin e kishte marrë rreth orës 10:00 në Durrës nga një shok që e njihte vetëm me emrin “Tomi”.

Ai ka pretenduar se kishte shkuar në Durrës, pasi kishte fëmijët sëmurë. Sipas Shpatarakut, makinën e tij e kishte lënë në një rrugicë në zonën e Kënetës, pasi kishte probleme dhe nxehej, ndërsa me Audin e marrë hua pretendon se ishte nisur drejt Elbasanit për të takuar 2 miq.

"Makina ime nuk funksiononte siç duhej, pasi herë pas here nxehej. Për këtë arsye lashë makinën time dhe mora makinën e shokut. Pasi e mora, shkova direkt në Elbasan", ka dëshmuar ai. 

Ai ka kundërshtuar edhe raportin e vëzhgimit të policisë, sipas të cilit rezulton se Shpatarku ka shkuar në kompleksin e vilave të Visit të Pojës ku fshihej Agasi, e ka marrë me makinë dhe më pas janë nisur drejt Elbasanit, ku kanë qëndruar për 5 orë pranë tregut agroushqimor në pronësi të Suel Çelës.

Shpataraku ka deklaruar “Jo, nuk jam ndaluar fare, direkt në Elbasan. Nuk është raporti i vëzhgimit i saktë.”

Ora 14:51
‘Më bëri autostop’, Shpataraku përgjigjet pse e mori Ergys Agasin në makinë: I marr njerëzit në rrugë, jam besimtar dhe nuk kam frikë

Pasi pretendoi se Ergys Agasin e kishte marrë rastësisht në makinë, pasi ky i fundit i kishte bërë shenjë në rrugën e vjetër të Elbasanit, Uljan Shpataraku është pyetur nga hetuesit nëse e kishte zakon të ndalonte për persona që i bënin shenjë.

Ai është përgjigjur shkurt: “Ndaloj”, duke pretenduar se nuk ka frikë, pasi është besimtar.

Shpataraku, i cili ka qenë edhe zv.drejtues i Policisë Elbasanit, ka pretenduar gjithashtu se as ai dhe as oficerët nuk mund t’i njihnin të gjithë personat në kërkim.

Ora 14:17
Orë ‘Richard Mille’, 4 iPhone dhe çantë me euro, çfarë iu sekuestrua Ergys Agasit në momentin e arrestimit! Shpatarakut iu gjet çantë ‘Hermes’

Orë “Richard Mille”, 4 telefona iPhone, karta bankare dhe një çantë me shuma të konsiderueshme eurosh iu sekuestruan Ergys Agasit në momentin e arrestimit, teksa ndodhej në makinë me Uljan Shpatarakun. Ora e Agasit, sipas kërkimeve në internet kushton deri në 300 mijë euro. 

Sipas dosjes së siguruar nga Report Tv, në çantën e Agasit u gjetën kartëmonedha të prerjeve 200, 50 dhe 20 euro, disa karta bankare të institucioneve financiare vendase dhe të huaja, si dhe leja e drejtimit. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën gjithashtu çelësa metalikë, një kontratë qiraje automjeti dhe dokumente të tjera.

Shpatarakut iu sekuestruan 400 euro, 4.200 lekë, një portofol “Alviero Martini” dhe një çantë “Hermes”, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij nuk u gjetën sende të kundërligjshme.

Ora 13:51
‘Më tha se quhej Berti’, Shpataraku: Nuk e njoha Agasin, e mora në rrugë se më bëri ‘autostop’! SPAK e rrëzon: E mori me makinë në vilën e Visit të Pojës

Ndonëse Ergys Agasi u kap në makinën që drejtohej nga Uljan Shpataraku, pasi policia e kishte mbajtur nën vëzhgim që prej daljes nga vila e Visit të Pojës, ish-zyrtari i Policisë ka pretenduar para hetuesve se nuk e njihte biznesmenin. Në dëshminë e siguruar nga Report Tv, Shpataraku mësohet se ka deklaruar se ai ka qenë në Durrës për shkak se ka pasur djalin sëmurë. Mëngjesin e 26 korrikut, ai ka pretenduar se është nisur drejt Elbasanit ku ka takuar dy miq. Në kthim, ish-efektivi Shpataraku pretendon se një person (Ergys Agasi) ia ka bërë me shenjë në rrugë për të ndaluar. Sipas tij, nuk e dinte së bëhej fjalë për Agasin dhe as nuk e kishte njohur, pasi ai ishte prezantuar me emrin “Berti” dhe se merrej me dyer alumini.

“Rreth orës 01:00 të natës, për shkak se djali im kishte temperaturë të lartë dhe ndodhej në Durrës, te vjehrri im, në zonën e Kënetës, mora bashkëshorten dhe shkova te vjehrri. Të nesërmen u zgjova, mora makinën dhe i thashë vjehrrit se do të shkoja në Elbasan. Shkova në Elbasan, takova dy miq të mi, piva kafe dhe më pas u ktheva nga Elbasani. Gjatë kthimit nëpërmjet rrugës së vjetër të Elbasanit, një person më bëri shenjë dhe unë e mora në makinë. Më pas, gjatë rrugës, na ndaloi policia dhe na dërguan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Gjatë rrugës zhvillova bisedë me të dhe ai më tha se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini. Në atë moment nuk e dija se bëhej fjalë për Ergys Agasin”, ka dëshmuar Shpatraku.

I pyetur se si ishte e mundur që një ish-efektiv nuk e kishte njohur Agasin, Shpataraku është përgjigjur:

“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim kur z. Agasi ishte kur hipi në makinën time me mjekër, me kapele, me shapka.”

Megjithatë, sipas dosjes, në orën 11:59 Audi A6 që drejtohej nga Shpataraku është parë duke hyrë në kompleksin e vilave në Durrës ku policia kishte lokalizuar Agasin. Vetëm tre minuta më vonë, në orën 12:02, automjeti është parë duke dalë nga parkimi nëntokësor dhe në sediljen e parë të pasagjerit ndodhej Agasi. Makina është mbajtur nën vëzhgim drejt Elbasanit dhe është ndaluar në kthim pranë Plepave.