TIRANË, 15 Dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ -Policia e Shtetit në bashkëpunim me  OSHEE, kanë vijuar sot operacionin në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike,  si dhe për ndërprerjen  e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.
Sipas policisë, edhe gjatë ditës së sotme , në të gjithë vendin kanë vepruar 101 grupe të përbashkëta Polici - OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici -  OSHEE në 1.619 raste .
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren  në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 12 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 9 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 3 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike . Janë shpallur në kërkim  6 persona dhe ndiqen në gjendje të lirë 3 persona.
Po gjatë ditës së sotme  janë ndërprerë 953  lidhje të paligjshme të energjisë  dhe abonentve debitorë. Gjithashtu po sot janë kontrolluar 81 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE theksojnë se janë të vendosur ta çojnë  deri në fund punën e nisur ,  deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur  me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së. /a.ke/