TIRANË, 11 Dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ -Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE, kanë vijuar sot punën e përbashkët në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.
Sipas Policisë, në të gjithë vendin kanë vepruar 109 grupe të përbashkëta Polici - OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici- OSHEE në 2.052 raste.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznese dhe familjarë, janë evidentuar 19 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 19 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 5 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Janë shpallur në kërkim 9 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 5 persona.
Po gjatë ditës së sotme janë ndërprerë 1.048 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentëve debitorë. Gjithashtu po sot janë kontrolluar 107 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE theksojnë se janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së. /m.m/









