Operacioni, pezullohen 5 policë
njoftuan pronarët e kazinove

Operacioni, pezullohen 5 policë<br />njoftuan pronarët e kazinove
TIRANE - "Fund marrëzisë" - operacioni i Policisë së Shtetit për sekuestrimin e lojrave të fatit dhe kazinove të paligjshme ka bllokuar vetën në 24 orët e para,  536 subjekte të paligjshme dhe ka vënë nën hetim për rrjedhje informacioni dhe shpërdorim detyre, pesë punonjës policie, nga të cilët dy drejtues: Ervin Dalipaj dhe Olsi Muçi.

Operacioni ka vazhduar edhe sot e do të zgjasë 10 ditë, ndërkohë që në mesditë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri thirri në një takim urgjent Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Burime nga policia bënë të ditur se pasditen e djeshme, pak para nisjes së operacionit, inspektorët janë përgjuar teksa njoftonin pronarët e kazinove për kontrollet e kolegëve të tyre në terren.

ORA 17:00 POLICIA NIS HETIMIN NDAJ 2 DREJTUESVE TE ANTIKRIMIT EKONOMIK

Ministria e Brendshme ka njoftuar se ka nisur hetimin për shpërdorim detyre dhe rrjedhje informacioni ndaj dy shefave të sektorit të krimit ekonomik në Tiranë dhe në Korçë me iniciale Ervin Dalipaj dhe Olsi Muçi.

Në njoftimin e saj thuhet:  "Nisur nga konstatimet e bëra për një numër shkeljesh ligore gjatë operacionit, me urdhër të ministrit Saimir Tahiri, SHKB ka nisur hetimet në të gjithë sektorët e luftës kundër krimit ekonomik, të cilët me mosveprimet e tyre në përmbyshje të të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme u kanë krijuar mundësinë subjekteve të ndryshme të fshehin aktivitetin e tyre të paligjshëm.

Në këtë kuadër janë pezulluar dhe po hetohen për shpërdorim detyre dhe rrjedhje informacioni shefat e sektorëve të krimit ekonomik, në tiranë dhe Korçë, E.D. dhe O.M.
 
Ndërkohë,"- thuhet në njoftim, - "Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është duke hetuar veprimtarinë e deritanishme të strukturave përkatëse të policisë, që kanë favorizuar në mënyrë të hapur lulëzimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Në përfundim të këtij hetimi do të përcaktohen edhe përgjegjësitë konkrete për çdo strukturë apo punonjës policie."
 
ORA 14: POLICIA NXJERR REZULTATET E PARA TE OPERACIONIT

Në orën 14:00, Policia e Shtetit ka nxjerrë raportin përmbledhës të operacionit të nisur dje. Ajo bën të ditur se në bashkëpunim me inspektorët e tatimeve dhe Drejtorisë së Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave ka nisur procesi i verifikimit të të dokumentacionit të subjekteve.

Si rrjedhim, në të gjithë vendin, janë bllokuar 536 subjekte; janë kontrolluar 524 subjekte; janë proceduar penalisht 116 subjekte; janë proceduar penalisht 116 persona; janë sekuestruar 584 makineri lojërash fati dhe pajisje të tjera të këtij lloji si dhe janë sekuestruar 57 kompjuterë dhe 103 monitorë në subjektet e pikave të basteve.

FAZA E DYTE: SEKUESTRO KOMPJUTERAVE

Operacioni sot në mesditë ka nisur me fazën e dytë, atë të sekuestrimit të kompjuterave, televizorë të këtyre lokaleve.  Një operacion i tillë u ndërmor në rrugën "4 Dëshmorët" në Tiranë. Në të gjithë vendin deri mesditën e sotme janë bllokuar rreth 700 lokale lojrash fati dhe kazino të paligjshme. Në kryeqytet sot paradite operacioni është shtrirë në rrugicat e kryeqytetit.

“Kush guxon nga këto pika bastes, të sekuestruara të heqë shiritin e të hapë aktivitetin arrestohet menjëherë”- ky është paralajmërimi i  policisë për të gjithë ata pronarë subjektesh të cilat tentojnë të ripahin aktivitetin e tyre, informon gazetari Rusta. Ka patur dhe nga ata pronarë të cilët, me të dalë urdhri, kanë hequr dorë nga ky biznes duke i lëshuar me qira objektet e tyre.

6000 EFEKTIVE TE ANGAZHUAR
Operacioni nisi dje pasdite në orën 17:00, bazuar në një plan masash të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe do të vazhdojë për 10 ditë në të gjithë vendin.
Rreth 6000 efektiva policie në të gjithë vendin janë angazhuar në aksionin për bllokimin dhe kontrollin e dokumentacionit për të gjitha pikat e basteve dhe lojërave të fatit.  Në operacionin e koduar “Fund marrëzisë” po marrin pjesë edhe inspektorët e Drejtorisë së Tatimeve në të gjithë vendin si dhe strukturat e Drejtorisë së Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave .Mësohet se deri tani numri i kazinove të bllokuara në të gjithë vendin ka  shkuar deri në 700. Po ashtu 18 persona janë proceduar penalisht si dhe po përgatiten kallëzimet për personat përgjegjës të cilët kanë lejuar këtë situatë.

Ministria e Brendshme me anë të një njfotimi bën me dije se Operacioni “Fund marrëzisë” do të vazhdojë deri në bllokimin dhe kontrollin e pikës më të fundit të basteve dhe lojrave të fatit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Të gjitha subjektet e bllokuara do t’i nënshtrohen verifikimit të imtësishëm të dokumentacionit përkatës lidhur më licencat, detyrimet tatimore dhe zbatimin e rregullave të tjera ligjore mbi të cilat bazohet veprimtaria e tyre.

OPERACIONI I POLICISE SIPAS QARQEVE

Lexo më shumë: Rezultatet e operacionit "antibast"në të gjithë Shqipërinë

Lajm në përditësim që nga ora 11:00
Redaksia online
(arsh/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, Rama: Grupe me menaxherë të huaj do asistojnë QSUT! Autonomi spitalore, mjekët pagesë sipas performancës

Skandali te Onkologjiku, Rama: Grupe me menaxherë të huaj do asistojnë QSUT! Autonomi spitalore, mjekët pagesë sipas performancës