107 vjet më pare, në artikullin e nr. 10 të “Shpresa e Shqypnisë”, datë 26 Qershor 1907, shkruhej kështu për qëndrimin e Serbisë ndaj viseve shqiptare dhe Shqipërisë në tërësi: …

“Megjithëkëtë Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë fabrikon për ditë lajme të gënjeshtra dhe tendencioze nga Shqipëria e Veriut (të cilën ajo e quan Serbia e lashtë që në të vërtetë, nuk egziston, por dëshiron që ta krijojë dhe ta aneksojë), me të cilat akuzon popullin shqipar para diplomacisë së Fuqive të Mëdha, përveç asaj austriake dhe italiane (shtetet e të cilave nuk mund t’i mashtrojnë, mbasi kufizohen me ne dhe kanë konsullata në të gjitha qendrat kryesore të Shqipërisë), si sulmues, plaçkitës dhe kriminelë, me qëllim që të na paraqesin si popull të egër dhe të prapë, që nuk meriton arsimin dhe larine, me qëllim që Fuqitë e Mëdha, të mashtruara, të ndihmojnë që ne të shërbejmë sa më parë si monedhë për të shlyer llogaritë (!). Në Beograd shpeshherë organizohen  çeta kryengritëse serbe me inisiativë të qeverisë (ngandonjëherë të veshura me costume shqiptare), dërgohen në Shqipëri (kudo që të jetë e mundshme) dhe duke u paraqitur si “kriminelë shqiptarë” shkatërrojnë, djegin dhe vrasin bullgarë, grekë dhe rumunë…”

E lexova rastësisht këto ditë ndër faqet e librit “Studime për mesjetën” të Muhamet Tërnavës, dhe  s’mund të rrija pa bërë alegorinë e turpshme të politikave serbe; mire në atë kohë kur për Fuqitë e Mëdha nuk egzistonte mundësia e informimit por; edhe në ditët e sotshme, përballë videove e fakteve të tjera të pakundërshtueshme

. Nuk arrij ta konceptoj dot se si “Fuqia e UEFA-s” të mbyllë sytë ndaj racizmit, ndaj goditjeve me gurë e të tjera shkelje që janë thenë e stërthënë e s’dua ti përmend me radhë; por të hedhë gurë mbi FSHF, sikur të ishte ajo që organizoi ngritjen e dronit.   “100.000 euro për flamurin që fare mirë mund të ishte një bombë” – ky ishte vendimi i shpallur, edhe pse: “nuk kemi asnjë prove që e kishit ju telekomandën, nuk mund t’a vërtetojmë që ju ishit organizatorët e ngritjes, as kemi ndonjë fakt tjetër rrethanor apo të besueshëm që kishit ndonjë lloj lidhjeje me të’’; që fare mirë mund të ishte ngritur edhe nga një serb.

“Dhe trepikëshi i humbur në tavolië; megjithëse nuk mund t’ua garantonim vazhdimin e ndeshjes, as duam ta marim parasysh rregulloren për të shqyrtuar arsyet dhe mundësitë fiziko-psikike të lojtarëve për një mbarëvajtje të ndeshjes.

Me shpresën e vetme që vendimi i apelueshëm do të marrë një tjetër përgjigje në instanca më të larta vendimmarrëse, shprehim “keqardhjen” për verbërinë e politikës pansllaviste. Kjo lloj platforme e themeluar në Kongresin pansllavist   më 1867 në Petrograd dhe në Moskë, u kompromentua krejtësisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX si ide praktike e carizmit rus, dhe  fatkqsisht është akoma dominante nga qarqe lobiste kudo nepër Europë.

Së fundi, si përgjegjës Kafkian, që din ta kthejë gishtin tek vetja për situatën e krijuar; dua të them se nuk bëmë kaq sa duhej në opinionin botëror. Përveç disa opinionistëve që shfrytëzuan rastin të dilnin nëpër televizione e të stërthonin argumente, që i kishin stërthënë dhe të tjerë para tyre; nuk pati pjesëmarrje të organizuar në rrjetet e internetit apo shoqata që të ndikonin ndër mediat e huaja  në mënyrë të dëndur. Jo manipulime deklaratash që supozohej t’i kishin thënë futbollistë të huaj, të qarkulluara në rrjete sociale që sjellin veçse një vetkënaqësi të shtirur; por një “luftë” mediatike për të ndërgjegjësuar opinionin ndërkombëtar se ajo “barazi” e dhënë, nuk është e drejtë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)