Opozita akuza Ramës për bujqësinë/ PD-LSI: Uli fondet, sektori në emergjencë kombëtare

Opozita akuza Ramës për bujqësinë/ PD-LSI: Uli fondet, sektori në emergjencë kombëtare

Opozita ka lëshuar akuza ndaj qeverisë së Ramës se ka ulur fondet për sektorin e bujëqsisë. Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku shkruan se qeveria uli fondet për mbështjen ndaj Bujqësisë në nivelin më të ulët të 30 viteve të fundit. 'Sot, 50% perqind te popullsise qe jeton me bujqesine dhe qe mbajne 20% te PBB i hiqet cdo mbeshtetje me fonde publike'. Tabaku thotë se Partia Demokratike ka nje plan per Bujqesine ku 150 milione euro që do të shkojne ne mbeshtetje direkte per fermerin, mbeshtetje per prodhimim, per punesimin e investime ne infrastrukture. Ndërkohë që Edmond Panariti jep alarmin duke thënë se bujqësia ndodhet në emergjencë kombëtare. "Prandaj, ne bëjmë një apel të fortë. Në radhë të parë të rikthehet masa e rimbursimit 100% të TVSH-së në pikat e dorëzimit. Të rritet minimalisht 10 herë buxheti për bujqësinë. Prandaj bujqësia ndodhet në një emergjencë kombëtare".

Postimi i Jorida Tabakut
Bujqesia ne diten me te keqe! Dje me VKM qeveria uli fondet per mbeshtjen ndaj Bujqesise ne nivelin me te ulet te 30 viteve te fundit. Askush nuk dha llogari se perse ky vendim uli ne 3,5 milione Euro shumen qe buxheti i shtetit do te kete tanime. Kjo ulje vazhdon te demtoje bujqesine dhe eshte anormale. Pervec abuzimeve me shperndarjen e subvencioneve, pervec faktit qe asgje nuk shkon sot te fermeret individuale. Sot, 50% perqind te popullsise qe jeton me bujqesine dhe qe mbajne 20% te PBB i hiqet cdo mbeshtetje me fonde publike. Ky ndryshim i shpejte dhe i pajustifikuar vjen nen panikun e mbajtjes se PPP-ve, mungesa e te ardhurave ne buxhet ku vetem ne Janar te ardhurat jane 3,5 perq me pak se plani detyrojne qeverine te ule mbeshtetjen per fermerin. Partia Demokratike ka nje plan per Bujqesine ku 150 milione euro do shkojne ne mbeshtetje direkte per fermerin, mbeshtetje per prodhimim, per punesimin e investime ne infrastrukture. Nuk mundet Shqiperia e bekuara e zotit, me njerez te ndershem e punetore te marre produktet bujqesore nga vendet fqinje! Me 16 Mars fermeret do protestojne qe produktet e tyre te mos hidhen me rrugeve.

Deklarata për e ish-deputetit të LSI-së, Edmond Panariti
Që bujqësia që ka qenë sektori më pak i financuar në Shqipëri, kjo nuk përbënte surprizë. Në mënyrë të vazhduar ka marrë nga buxheti i shtetit një sasi parash, e cila ka qenë pesë herë më e vogël nga ç’është financuar ky sektor i rëndësishëm i vendit te fqinjët, te Maqedonia e Veriut dhe në Kosovë. As nuk mund të mendohej që tashmë masa e financimit nuk do të jetë pesë herë më e vogël se sa fqinjët, por 50 herë më e vogël se sa fqinjët.

Praktikisht buxheti i subvencioneve sot në Bujqësi, është rreth 450 milionë lekë, ose e kthyer në euro, rreth 3.5 milionë euro, nga 20 milionë euro që ishte një vit më parë. Pra rreth 6 herë më i ulët. Sikur të mos mjaftojnë këto, prodhimi bujqësor sot është ngarkuar me TVSH-në më të lartë në rajon. Në shitje, në dorëzim, produkti ngarkohet me 20% TVSH, e cila tashmë rimbursohet vetëm në masën 6%. Kjo e bën prodhimin bujqësor vendas, jo konkurrues dhe kuptohet që në mënyrë simbolike, fermerët po derdhin qumështin për arsye, sepse praktikisht fabrikat e përpunimit të qumështit nuk e blenë më këtë qumësht, pasi çmimet që i ngarkohen fermerëve, janë çmime qesharake që nuk justifikojnë mundin, djersën dhe sakrificat që ata bëjnë për përpunimin e këtij qumështi.

E njëjta gjë vlen edhe për frutat, për zarzavatet, të cilat vuajnë ashtu si produktet e tjera bujqësore, nga taksa më të larta dhe tatime më të larta në rajon. E pa financuar, bujqësi me taksat më të larta në rajon, bujqësi që e punon, frezon dhe e liron tokën me naftën më të shtrenjtë në Europë, ka vetëm një fund: Falimentin dhe një pjesë e madhe e fermave tashmë po mbyllen, fermerët po braktisin fshatin, po tentojnë emigrimin dhe kjo është një dramë e cila po shpaloset çdo ditë e më shumë për bujqësinë vendase.

Nuk mund të fshihesh për këtë financim mjeran, të paprecedentë, të padëgjuar të bujqësisë, e cila merr vetëm 3 milionë e gjysëm euro, aq sa është kostoja e 150 metrave autostradë. Aq merr bujqësia për një vit fonde subvencion për fermerët, për agro përpunimin. Pra nuk mund të fshihesh me fondet e IPARD-it. Fondet e IPARD-it vështirë se mund të përfitohen nga fermeri i thjeshtë, për arsye sepse përfitimi i këtyre fondeve kërkon një financim paraprak, kërkon kredit bankar, kredit të bujqësisë, i cili është inegzistent. Pra kërkon para në dorë për të filluar investimin, që të përfitosh këto fonde. Kurse fondet e subvencionit të shtetit, shkonin si subvencione direkte për blegtorinë, për mbledhjen e parcelave, për mbjelljene serave. Dhe këto mund të përfitoheshin nga fermerët si subvencion direkt i prodhimit parësor. Por tashmë që këto fonde nuk ekzistojnë, tashmë fermerët janë në mes të katër rrugëve. Prandaj edhe ata po braktisin prodhimin, po derdhin prodhimet, po derdhin qumështin, po flakin qepët, po hedhin mollën buzë kanalit.

Tashmë është një paradoks që në tregjet e kryeqytetit dhe tregjet kryesore gjen një mollë e cila shitet deri në 1600 lekë të vjetra kilogrami, aq sa mund të blihej 10 kilogramë nga molla e Korçës apo nga molla e Peshkopisë. Pra kjo është një situatë e paprecedentë. Un do ta konsideroja një fatkeqësi, një emergjencë kombëtare. Në rast se ne bujqësinë do ta lëmë në këtë masë financimi, fshati do të falimentojë, fshatrat do braktisen dhe sigurisht këtë nuk e ndihmon as sfida e 100 fshatrave. Sepse një fshat që të ekzistojë duhet të prodhojë, duhet të tregtojë, duhet të mbajë familjen me të ardhura dhe nuk mund të jetë vetëm një objekt atraksioni turistik.

Prandaj, ne bëjmë një apel të fortë. Në radhë të parë të rikthehet masa e rimbursimit 100% të TVSH-së në pikat e dorëzimit. Dhe të mos jetë më rimbursimi 6%, si po ndodh për fat të keq. Sepse në rast se do të vazhdohet me këtë masë, atëherë të jeni të sigurt që prodhimet tona nuk do të dalin në treg, do të kalben dhe do të flaken udhës. Të rritet minimalisht 10 herë buxheti për bujqësinë. Pra njëherë të kalojë aty ku ka qenë dhe sigurisht të rritet për arsye sepse në rast se ne nuk e mbështesim bujqësinë, ne do të vëmë siglën dhe vulën e mjerimit të fshatit, mjerimit të fermës, mjerimit të fermerit. Pra kjo është një politikë, e cila është edhe antikombëtare pasi do të çojë në zbrazjen e fshatrave. Ndërkohë kur Bashkimi Europian pjesën dërrmuese të buxhetit të tij e alokon për fermat dhe për fermerin, pra më shumë se gjysma e buxheteve të Europës shkon për fermën dhe fermerin, ne i japim vetëm 0.02% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto një sektori, i cili kontribuon në prodhimin e përgjithshëm bruto me 20% të këtij prodhimi.

Pra kjo është një papërgjegjshmëri. Në rast se do të vazhdojmë në këtë trend, fshati do të braktiset, fermerët nuk do të jenë më të interesuar të kultivojnë dhe punojnë tokën. Fabrikat e grumbullimit dhe përpunimit nuk do të marrin prodhimin vendas. Dhe ka filluar një tendencë jashtëzakonisht e keqe që tashmë po importojnë lëndë të parë nga jashtë. Kjo ka çuar në një prishje dhe thellim të bilancit negativ të bujqësisë, e cila tashmë edhe ajo industri agro përpunuese po kthehet në industri fason. Pasi nuk është e interesuar për të blerë lëndën e parë, prodhimet e freskëta të fermës, por i drejtohet importit. Prandaj bujqësia ndodhet në një emergjencë kombëtare. Nëse nuk ndërhyhet kjo do të ngarkojë në radhë të parë me përgjegjësi qeverisjen aktuale, për braktisjen e fshatit dhe për rrënimin e fermerit. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun