Ndryshimi i propozuar nga qeveria në paketën fiskale, për të ofruar kompensim për shitjet e produkteve bujqësore e blegtorale, nuk kënaq askënd nga palët e interesuara, përsa kohë mbetet në fuqi skema e diferencuar e TVSH-së

“Modeli që keni zgjedhur për TVSH nuk është zgjidhje për situatën me blegtorët. Për çdo litër qumësht të kenë rimbursim pa limit për fermerët. Të ketë rimbursim për hektarët që mbillen”, tha Nikolin Jaka.

“Ne kërkojmë një barazim TVSH-je sado që të vendoset 20 me 20, 10 me 10, pesë me pesë sepse ne sot gjendemi në realitetin që fermerët shqiptarë që prodhojnë misër, nuk na i shesin dot produktet e tyre, sepse dhe ne nuk mund t'i blejmë dot. Nuk i blejmë dot për arsye sepse, ne nuk na njihet TVSH”, tha Gentjan Lalaj nga Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit.

Futja e kompensimit me 10% për çdo faturë që fermeri do të marrë nga grumbulluesi i parashikuar për të hyrë në fuqi më 1 janar 2026, ndryshe nga sa mendon qeveria se do të formalizojë tregun, për blegtorët nuk zgjidh problemin kryesor të tyre, ndaj propozojnë që faturat për produktin që shesin ti lëshojë vetë fermeri, pasi grumbulluesi deklaron sipas interesit të tij.

“Shitja e qumështit deri në 70% ndodh pa fature, pasi autofatura është një abuzim ndaj fermerit që përpunuesi e pret, kur e ku i duhet, sa i duhet me çmimin që i duhet, për të rregulluar bilancin e tij mujor apo vjetor apo për të qenë në rregull me veten e vet. Ta faturojë vetë fermeri misrin, elbin apo qumështin qoftë t'i njihet në sistem TVSH-ja dhe nëse shteti mendon që duhet të ketë një subvencion 10% le t'ia japi direkt kundrejt faturës që fermeri lëshon”, tha Gentjan Lalaj.

“Pavarësisht se fermeri do të jetë i interesuar për faturën që të marrë kompensimin prej 10%, një tregtar nuk ka për ta dhënë faturën, do të dëgjoni që do të ketë shumë konflikte”, tha Eduart Sharka.

Sot kur një grumbullues blen tek fermeri e ka TVSH-në 0%, ndërsa kur e shet produktin e ka TVSH-në 20%. Praktikisht nuk përfiton rimbursim TVSH-je (pra TVSH 20% në shitje minus TVSH në blerje që është 0%, rezultati mbetet 20%, tvsh për tu paguar për produktin vendas), duke i bërë grumbulluesit jo të interesuar për prodhimin vendas. Ndërsa në import, si në blerje dhe në shitje TVSH-ja është 20%, duke e bërë më tërheqës produktin e huaj.

Për të rregulluar këtë skemë që po dëmton prodhimin vendas Sindikata thotë se ka edhe një hap të fundit për të bërë.

“Rruga e fundit që na ka mbetur ne pas kaq shumë vitesh luftë, na mbetet vetëm të shkojmë në Gjykatë Kushtetuese”, tha Sharka.

Meqenëse produkti i importit po favorizohet me këtë skemë TVSH-je që kemi aktualisht në fuqi, shoqatat thonë se fabrikat duhet të jenë transparente me qytetarët, konsumatorët dhe ta deklarojnë në faturë, ku e blejnë lëndën e parë.

“Fabrikat e qumështit meqë po lejohen të marrin lëndët e para nga Serbia, Maqedonia, nga Hungaria, të njihet në etiketë. Ta kenë të detyrueshme ta shkruajnë në etiketë për konsumatorin vendas që, këtë gjë unë e marrim nga filani”, tha Lalaj nga shoqata e blegtorëve prodhues të qumështit.

Nga ana tjetër Ministria e Financave vijon të mbështesë këtë skemë të propozuar të kompensimit të TVSH-së, pasi thotë se shkon në linjë me direktivat e BE-së, dhe prej saj përfitojnë direkt 111 mijë fermerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:36
Paketa fiskale/ Deputeti Erion Braçe i del në krah Shoqatës së Blegtorëve: Ministri ka dy muaj në detyrë, çfarë bën? (VIDEO)

 

Në komisionin e Ekonomisë sot është zhvilluar një seancë dëgjimore me grupet e Interesit për paketën fiskale. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i ka dalë në krah përfaqësuesit të Shoqatës së Blegtorëve.

Deputeti thotë se këto ankesa janë bërë dhe më parë, por nuk janë marrë në konsideratë nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Ekonomisë.

“Propozimet e zotërisë nuk janë për herë të parë, ka vite që i bën, i kanë dëgjuar dhe ministrat. Problemi është që koha ikën, dhe koha për ta është një lopë që kalon moshën, që nuk prodhon më shumë, një fermë që digjet, përmbytet e kështu me radhë. Të gjitha propozimet që bëri dhe i ka bërë kohë pas kohe, nuk kanë kosto për buxhetin e shtetit, janë rregullime në atë që kemi sot pa shtuar asnjë lek kosto.

Kjo historia që ministria thotë që do e bëjmë kështu siç themi ne, ka sjellë këtë gjendje. Ka dy muaj në detyrë ministri i Bujqësisë, mund të reflektonte, por tha që ‘jam i kënaqur’. Ministri i financave i ka dëgjuar këto problematika. Përfaqësuesi i dhomës së tregtisë, siç koordinojnë çmimin koordinojnë dhe sjelljen, dhe e kuptoj pse nuk kanë ardhur sot këtu”, tha Braçe.

Ora 11:17
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, paketë me propozime për lehtësi fiskale

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Nikolin Jaka ka kërkuar që skema e kompensimit të TVSH-së 10% në bujqësi nuk është zgjidhje për fermerët, ndërkohë që të ulet TVSH-ja edhe për produktet ushqimore nga 20% në deri 7%.

"Kemi kërkuar uljen e TVSH-së për industrinë prodhuese dhe agroushqimore. Tvsh-ja për produktet ushqimore të jetë 5-7%. Të hiqet TVSH-ja për investimet doganore. Të përjashtohen nga tarifat doganore lëndët e para për industrinë prodhuese.  Rimbursimin e akcizës së gazit dhe lëndëve djegëse që përdor industria prodhuese. Sipërmarrja prodhuese e ka një kosto të jashtëzakonshme akcizën.  Pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë në sektorin e ndërtimit të bëhet me 3 këste. Modeli që keni zgjedhur për TVSH nuk është zgjidhje për situatën me blegtorët. Për çdo litër qumësht të kenë rimbursim pa limit për fermerët. Të ketë rimbursim për hektarët që mbillen. Pra ne kërkojmë që këto masa të jenë në përputhje me vendet e rajonit që nxisin konkurrencën dhe ne mos të marrim produktet e rajonit dhe t'i tregtojmë në supermarketit shqiptare. Ndërkohë që ajo çfarë ne kërkojmë me forcë është që të mundësojmë edhe hartimin strategjike për luftën kundër informalitetit.  Paqja fiskale është e mirëpritur. Duhet parë me kujdes mënyra sesi do të aplikohet që të mos dekurajohet pjesa e ndershme e ekonomisë.", tha Nikolin Jaka. 

Ora 11:13
Shoqata e Bankave kundër tavanit 500 mijë lekë për pagesat cash për qytetarët, Brumbulli: Ky kufizim kaq i lartë, s’ka logjikë, të jetë maksimumi 60 mijë lekë

 

Pjesë e paketës fiskale e vitit 2026 është edhe kufizimi i pagesave cash për qytetarët si dhe ulja e tavanit për sipërmarrjen. Bizneset nuk do të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 100 mijë lekë në cash me një biznes tjetër. Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë për qytetarët.

Por Shoqata e Bankave është kundër këtij tavani për qytetarët, pasi sipas tyre është shumë më e lartë sesa në vendet e rajonit.

“Ne kemi kërkuar me kohë tavan për pagesat me cash për individët. Për herë të parë vendoset tavani për individët. Por vendosja për individët e një tavani 500.000 lekë është jashtë çdo analize, jashtë çdo eksperiencë, jashtë çdo përvoje. Ne kemi eksperienca, ka si vende Gjermania që ka 10.000 euro, veprimin e cash, Holanda e ka 3000 euro, Italian duhet ka 2000 euro. Po ka Greqia, Maqedonia e Veriut, Hungaria e ka nga 500 euro. Po si ka mundësi t'i lë një individ 500,000 lekë, kur rroga mesatare, deri 90,000 lekë. Çfarë do bëjmë? Do i themi që mos e kalon më pagën në bankë. Merri para thjesht dhe bë veprime sa do duash, apo duam të stimulojmë veprime cash të një grupi që kanë këto të ardhura? Propozimi i ynë është diku tek 60.000 lekë, për të mos nxitur veprimin e cash”, tha Spiro Brumbulli sekretar i Shoqatës së Bankave. 

Deri në fund të qershorit 2026 të gjithë bizneset në fushën e turizmit dhe të transportit duhet të pajisen me terminalin POS për të bërë pagesa me kartë dhe deri në fund të 2026-ës e gjithë sipërmarrja duhet të ketë këtë alternativë. Por shoqata e bankave a rezerva për afatet.

“Vendosja e një kanali alternativ për pagesat është mirëpritur, por kemi problem me afatin se deri në fund të vitit 2026 kemi frikë se s’do e realizojmë”, tha Brumbulli.